Kosovë

Kosovë

Paqarizi: Tradita 43 vjeçare e Seminarit të Gjuhës duhet të vazhdojë - Rektorati i UP-së të reflektojë

Publikuar më 13 Gusht 2017

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Në edicionin e 36-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të marrin pjesë rreth 140 studentë, të cilët janë të interesuar të mësojnë apo përmirësojnë gjuhën shqipe.

Pjesë e seminarit do të jenë edhe më shumë se 80 studiues të cilët do të paraqiten me punime shkencore.

Por, ky numër i punimeve shkencore po del se është modest në krahasim me vitet e kaluara.

Rrahman Paçarizi, drejtor i seminarit, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se për të prezantuar punimet e tyre studiuesit po hezitojnë, ngase në bazë të një vendimi të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, prezantimet dhe publikimet e bëra në revistën e këtij seminari, nuk po pranohen si punime ndërkombëtare.

Kjo, sipas Paçarizit, ka dekurajuar pjesëmarrësit potencialë. "Sidomos sivjet ka reflektuar në sesionin e kulturologjisë, të cilin sesion ne e kemi themeluar para tre vjetësh. Ka pasur sukses dhe interesim në rritje, mirëpo sivjet interesim ka qenë goxha modest, kryesisht për shkak të vendimit dhe rektoratit. Studiuesit sikur nuk shohin shumë interes për të botuar në një revistë e cila nuk konsiderohet mjaft kredibile nga Universiteti i Prishtinës", tha Paçarizi.

Nëse një dekurajim i pjesëmarrësve vazhdon, Paçarizi paralajmëron se seminari rrezikon edhe të shuhet.

"Rëndësia e seminarit është e madhe, në kuptimin e promovimit të gjuhës, sidomos; por edhe të letërsisë e kulturës shqiptare në përgjithësi; të vlerave të Kosovës, të vlerave shtetërore kulturore, arkeologjike, historike, të turizmit e të tjera".

"Do ta dëmtojë shumë Kosovën në rast se do të vazhdojë ky dekurajim, sepse seminari do të detyrohet ndoshta edhe të shuhet, ndoshta edhe të mbyllet, nëse do të vazhdojë ky trend i mospjesëmarrjes së shfaqur sivjet në sesionin e kulturologjisë", shprehet Paçarizi.

Ai pret se Rektorati duhet "të reflektojë" dhe të ndryshojë këtë vendim. "Nuk mund të hidhet poshtë një traditë 43-vjeçare e një seminari, i cili në fakt është ngjarja më e madhe, më e rëndësishme dhe më me traditë në fushë e Albanologjisë".

Përkundër vështirësive më të cilat përballet, seminari pritet që të sjellë studiues dhe studentë nga vende të ndryshme të botës, madje edhe prej vendeve me të cilat politika nuk po arrin që të ketë kompromis.

"Nuk ka ministri të Kosovës e cila mund ta krijojë këtë lidhje me botën të cilën e krijon seminari. Vetëm një element: në seminar marrin pjesë studiues nga vendet të cilat jo vetëm që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por edhe nga vendet që konsiderohen si armiq të pavarësisë së Kosovës. Ne kemi një pjesëmarrje masive të studiuesve të njohur eminentë nga Rusia; kemi një pjesëmarrje masive të studentëve nga qyteti i Beogradit, studentë serbë të cilët e studiojnë shqipen. Kemi studiues dhe studentë nga Sllovakia, e vende të ndryshme të botës", tha Paçarizi.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të fillojë nesër dhe do të zgjasë deri më 25 gusht.