Kosovë

Kosovë

Për 180 ditë përfundon rruga Gërlicë e Epërme - Shtërpcë - Brezovicë

Publikuar më 18 Prill 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, të enjten mori pjesë në përurimin i fillimit të punimeve në rehabilitimin e rrugës regjionale Gërlicë e Epërme - Shtërpcë - Brezovicë.

Rehabilitimi i kësaj rruge me gjatësi prej 15.3 kilometra, ka kosto mbi 1.2 milion euro ndërsa, sipas MIT-së, punimet për këtë segment parashihet të përfundojnë brenda 180 ditë pune.

MIT thotë se për segmentin e dytë të rrugës deri në Qendrën e Skijimit dhe Prevallë, me gjatësi prej 19.4 kilometra, të enjten është nënshkruar kontrata me vlerë afër dy milionë euro.

Lekaj shprehu kënaqësinë që me këtë investim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, i hapet perspektivë edhe më e madhe kësaj zone turistike. Ai shtoi se Qeveria e Kosovës ka prioritet investimin në turizëm në të gjitha rajonet e Kosovës ku ka potencial turistik.

Kryetari i Federatës së Skijimit të Kosovës, Milaim Kelmendi, e falënderoi ministrinë që nëpërmjet infrastrukturës po lehtëson zhvillimin e sportit që ai përfaqëson, jo vetëm në Brezovicë, por edhe në bjeshkët tjera.