Kosovë

Kosovë

Përurohet salla e tretë operative në Kirurgjinë Vaskulare

Publikuar më 15 Janar 2020

Artikuj të ngjashëm

Është përuruar salla e tretë operative në Kirurgjinë Vaskulare në QKUK.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka marrë pjesë në përurimin e sallës së tretë operative në Kirurgjinë Vaskulare.

Siç njofton kumtesa për media, gjatë përurimit të kësaj salle, Ismaili tha se është shumë i lumtur me investimet që janë bërë në këtë klinikë. Ai shtoi se hapja e kësaj salle do të ndihmoj që të hiqet lista e pritjes për qytetarët.

"Jam jashtëzakonisht i lumtur me investimet që po shoh se janë realizuar këtu. Kjo ka qenë një kërkesë e kahmotshme e Kirurgjisë Vaskulare, që të ketë edhe një sallë tjetër. Një sallë që është moderne që i plotëson kushtet që t'u shërbejë pacientëve me kualitet sa më të lartë", ka thënë Ismaili.

"Duke krijuar hapësira moderne si kjo, do të jemi në gjendje që të shtojmë shërbimet dhe ta heqim listën e pritjes. Në këtë mënyrë do të ruajmë shëndetin por edhe xhepin e qytetarëve", ka shtuar tutje Ismaili.

Drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, ka thënë se qëllimi i këtyre investimeve është që pacientëve t'u bëhet më i lehtë mjekimi dhe shërimi.

"Gradualisht po ngrisim shërbimet profesionale në QKUK që qytetarëve tanë t'u ofrojmë më shumë mundësi për t'i trajtuar problemet e tyre shëndetësore", ka thënë Drejtori Basri Sejdiu.

Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, Hajriz Rudari, ka thënë se me sallën e tretë operative pacientët do të kenë kushte më të mira dhe mundësi më të mëdha trajtimi.

Për sallën e re operative në Kirurgjinë Vaskulare janë shpenzuar mbi 100 mijë euro, ndërsa 100 mijë euro të tjera janë shpenzuar për modernizmin me pajisje të sallave ekzistuese.