Kosovë

Kosovë

Problemet qe e presin Qeverinë e re

Publikuar më 13 Tetor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Ndëshkimin e sovranit e kanë përjetuar të dielën e shkuar subjektet në koalicion qeverisës, kryesisht për shkak të keqqeverisjes e abuzimit me pushtetin që për prodhim kanë pasur stagnimin e shtetit në të gjitha fushat.

Ato do ta lënë pushtetin, bashkë me një mal problemesh të grumbulluara prej vitesh, shkruan sot Koha Ditore.

Vota popullore i renditi si subjekte të para partitë kryesore opozitare, të cilat në garën elektorale prezantuan programe jo pak ambicioze dhe premtuan standard të ri qeverisës.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), një subjekt që i përket spektrit të majtë, për herë të parë ka dalë parti e parë për kah numri i votave. Rezultatet preliminare kanë treguar se pro saj ishte 25.5 për qind e trupës votuese. Në anën tjetër, Lidhja Demokratike (LDK), parti e djathtë, është ranguar e dyta me 24.8 për qind të votave. Ajo në disa mandate ka qenë në pushtet, por vetëm diçka më shumë se dy vjet ka drejtuar Qeverinë.

Drejtuesit e këtyre subjekteve, që me orientim ideologjik qëndrojnë larg njëra-tjetrës, kanë treguar se do të jenë bashkë në Qeveri.

Albin Kurti i LVV-së pritet të jetë kryeministri i ardhshëm. Ai tashmë ka vënë kontaktet me lidershipin e LDK-së, me qëllimin për ndërtimin e koalicionit qeverisës. Vjosa Osmani, që ishte kandidate e LDK-së për kryeministre, ka theksuar se qytetarët me votën e tyre përcaktuan edhe Qeverinë e re, atë LDK-LVV. Insistimi i saj është se nuk ka alternativë tjetër...