Kosovë

Kosovë

Rinumërimi drejt fundit, Kurti-Mustafa u rikthehen takimeve

Publikuar më 22 Nëntor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike do t'iu rikthehen takimeve këtë të premte në nivel të kryetarëve. Pretendenti për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se do të takohet me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, për të diskutuar çështjet e mbetura rreth programit qeverisës dhe ndarjes së posteve.

"Ne duhet të ecim me shpejtësi drejt formimit të Qeverisë, sepse do të bëhet certifikimi i rezultateve. Unë besoj se duhet të diskutojmë dhe besoj se është mirë që t'i diskutojmë të gjitha çështjet, sepse në fillim të javës së ardhshme do të bëhet certifikimi i rezultateve dhe është mirë që të mos humbim kohë. Pra, nuk është e thënë që t'i mbyllim temat, por mendoj që është koha t'i hapim ato", ka thënë Kurti të enjten, shkruan sot "Koha Ditore".

I pyetur nëse postin e kryeministrit LDK-ja e ka vënë në baraspeshë me shtatë ministri, Kurti ka shtuar se, "diçka e tillë nuk qëndron". Lideri i VV-së, që më pas ka zhvilluar një bashkëbisedim me përfaqësues të sindikatave, ka paralajmëruar që në takim me Mustafën do të diskutohet edhe për postin e presidentit. LDK-ja deri tani ka insistuar që pjesë e ndarjes së kulaçit të jetë edhe posti i shefit të shtetit. Madje Mustafa nuk e ka përjashtuar mundësinë që ai të jetë kandidati për president.

"Ne do të diskutojmë me Mustafën për postin e presidentit, por fokusi ynë janë karriget e zbrazëta dhe ato karrige të zbrazëta janë të kryeministrit dhe të kryetarit të Kuvendit. Unë besoj se kjo është detyra më urgjente që kemi", ka theksuar Kurti.