Kosovë

Kosovë

SHBA-ja dhe BE-ja kërkojnë nga Qeveria e re rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi me një qasje proaktive

Publikuar më 22 Nëntor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kërkojnë nga Qeveria e re që pritet të udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në qasje të re e më proaktive në dialogun Kosovë-Serbi.

Në dy intervista të veçanta për Telegrafin dy njerëzit kryesorë të ShBA-së dhe BE-së në Kosovë, Ambasadori Philip Kosnett dhe Ambasadorja Nataliya Apostolova kanë bërë thirrje që Qeveria në ardhje të ketë në fokus dialogun dhe marrëveshjen finale.

Ambasadori i SHBA-së  Kosnett, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se mos vazhdimi i dialogut nuk i ka ndihmuar Kosovës as në aspektin ekonomik apo atë ndërkombëtar.

Ai ka theksuar se, SHBA nuk mund të shohë një shteg për integrimin e plotë të Kosovës në sistemin ndërkombëtar pa përfshirjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë në të.

"Pauza në dialog nuk i ka ndihmuar Kosovës në aspektin ekonomik apo pozicionin e saj  ndërkombëtar. Kur ajo të formohet, qeveria e re duhet t'i japë një infuzion të ri negociatave me Serbinë. Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të qëndrojnë prapa sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës, por, siç tha edhe Përfaqësuesi Special Matt Palmer së fundmi në Prishtinë, ne nuk mund të shohim një shteg për integrimin e plotë të Kosovës në sistemin ndërkombëtar pa përfshirjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë në të. Marrëdhëniet më të mira me Serbinë nuk do të zhvendosin vëmendjen nga përpjekjet për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për popullin e Kosovës, por do t'i plotësojnë ato" ka thënë Kosnett, për Telegrafin.

Ndërsa përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë Apostolova ka deklaruar se shumë i rëndësishëm është edhe rifillimi i dialogut me Serbinë.

"Për BE-në, është kruciale që Qeveria e re me shpejtësi ta fillojë punën që e pret. BE-ja do ta ndihmojë Qeverinë e Kosovës si gjithherë. Shumë i rëndësishëm është edhe rifillimi i dialogut me Beogradin" ka thënë Apostolova për Telegrafin.

Ndryshe ShBA dhe BE-ja presin nga Qeveria e re që të formohet sa më shpejt pas certifikimit të zgjedhjeve të mbajtura me 6 tetor.