Kosovë

Kosovë

VV-ja optimiste për finalizimin e koalicionit me LDK-në pa përfshirë presidentin, ose zgjedhje

Publikuar më 11 Dhjetor 2019

Artikuj të ngjashëm

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu konfirmon se brenda kësaj jave do të takohen lideri i VV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa me qëllim të finalizimit të marrëveshjes për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Por sipas saj, nëse LDK vazhdon të insistojë për presidentin atëherë alternativa e vetme sipas Haxhiut është që vendi të shkojë në zgjedhje.

Madje Haxhiu këtë kërkesë të LDK-së e ka quajtur të pakuptimtë.

"Nuk kemi hyrë në garë për çështjen e presidentit prandaj na duken komplet të pakuptueshme kërkesat e tilla, megjithatë unë po them që para vetes kemi dy alternativa si Lëvizje Vetëvendosje. Natyrisht e para është që të kemi koalicionin qeverisës ku nuk përfshihet çështja e presidentit, madje refuzoj të përfshihemi me emra të përveçëm në këtë çështje sepse vet figura e presidentit përfaqëson njëfarë uniteti.. Dhe e dyta pa dyshim që janë zgjedhjet sepse Vetëvendosje nuk bën koalicion me ndonjë subjekt tjetër politik. Por ta keni të qartë se kërkesa e LDK-së kërkesën për president nuk e ka të mbështetur as nga populli...Ne si Vetëvendosje për shkak të problemeve që i ka shteti i Kosovës nuk jemi të interesuar për zgjedhje, nëse ka barikadime të tilla do gjendemi para situatave të tilla", theksoi Haxhiu për kosovapress.

Sipas saj nuk ka pasur veprime të ngutura për krijim të koalicionit qeverisës pasi ende edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk e ka thirrur seancën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

"Ndoshta nuk ka pasur veprime të ngutura për shkak se në anën tjetër nuk kemi as thirrje për seancën konstituive të Kuvendit. Siç e dini presidenti i Republikës së Kosovës ka në dispozicion 30 ditë kjo nuk do ta thërras në ditën e 30 apo 29 sepse e drejta e tij është ta thërras edhe më përpara pra nuk ka një seancë të tillë... Ne presim që presidenti ta kryej obligimin e tij kushtetues në mënyrë që të konstituohet Kuvendit dhe t'i hapet rrugë krijimit të institucioneve", tha Haxhiu.

Haxhiu është shprehur optimiste për koalicionin mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së , pasi sipas saj çështja e presidentit është ajo që i ka dalluar këto dy subjekte pasi që në të gjitha pikat tjera ata janë dakorduar.

"Ka qenë edhe një kërkesë e LDK-së që të përfshihet në marrëveshjen 'Vetëvendosje- LDK' edhe çështja e presidentit ku kjo na ka bërë neve të rezervohemi në raport me koalicionin qeverisës. Megjithatë takime nuk kanë mundur të ketë për shkak se edhe Albin Kurti nuk ka qenë në Kosovë. Ai tashmë është në Kosovë dhe unë besoj se shumë shpejt do të ketë takime ndërmjet kryetarëve që ta finalizojmë marrëveshjen e koalicionit qeverisës. Pavarësisht që kemi pasur dallime në këtë pikë sepse me sa kujtoj është e vetmja pikë ku ne kemi dallime nuk kemi pasur probleme në çështjet tjera. Jam shumë optimiste për koalicionin 'VV- LDK' dhe të gjitha këto të cilat kanë ndodhur qoftë deklaratat dhe kërkesat e tilla duket se janë normale megjithatë për Lëvizjen Vetëvendosje nuk ka qenë e drejtë që çështja e presidentit të përfshihet ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së. Besoj që do të ketë brenda kësaj jave kur me saktësi besoj që shpejt do bëhet e ditur", thotë Haxhiu.

Lidhur me atë se koalicionin ndërmjet VV-së dhe LDK-së po e lë pezull edhe ndarja e disa ministrive, Haxhiu tha se ajo nuk qëndron pasi sipas saj të gjithë ministrat pavarësisht cilit subjekt do t'i takojnë do të jenë llogaridhënës tek kryeministri në ardhje, Albin Kurti.

Ndryshe, takimi i fundit që u zhvillua në mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa ka ndodhur më 2 dhjetor, ndërsa nga ajo ditë nuk është zhvilluar asnjë takim tjetër.

Ndërsa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit e ka bërë më 27 nëntor.