Kosovë

Kosovë

Veseli: Kosova nuk do konflikt, por kërkon drejtësi

Publikuar më 16 Maj 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Kryeparlamentari Kadri Veseli, i shoqëruar nga drejtori i Institutit të mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka vizituar sot vendin ku po ruhen eksponatet e rrobave të mijëra qytetarëve civilë shqiptarë të vrarë gjatë luftës nga forcat serbe.

Kryeparlamentari Veseli ka parë nga afër rrobat e fëmijëve të vegjël të vrarë, rrobat e vajzave të masakruara dhe rrobat e të moshuarve deri në 106 vjeç të cilët janë vrarë e masakruar nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Kryetari i Kuvendit tha se Kosova nuk do konflikt, do paqe, do të ardhme, por do edhe drejtësi dhe siç tha ai, kjo drejtësi duhet dhe do të ndodhë.

"Më askush nuk guxon të na e bëjë atë që na e ka bërë. Dhe drejtësia do të ndodhë. Në Jerusalem, në Muzeun e Yad Vashemit, është një pirg i madh me flokë të viktimave. Nëse shkoni në Poklek, aty do t'i gjeni 56 persona në një varr. Ky është Holokausti. Do të jetë e pafalshme nëse bashkësia ndërkombëtare nuk e përkrah iniciativën për tribunal ndërkombëtar për Serbinë. Për aq sa ka njerëz mbi këtë tokë, dritë dhe diell, do të ketë edhe drejtësi dhe tribunal për gjenocidin serb", theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai tha se të gjitha këto rroba të mijëra civilëve të vrarë nga forcat serbe, do të vendosen në Muzeun e Gjenocidit i cili do të ndërtohet në Prishtinë.

Nga ana tjetër, drejtori i institutit të mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu ka falënderuar kryeparlamentarin Veseli për iniciativën për Muzeun e Gjenocidit ndërsa theksoi se janë në dispozicion të mbështetjes dhe dorëzimit t? të gjitha artefakteve dhe dëshmive që ekzistojnë për zbardhjen e fatit të gjithë civilëve të vrarë nga forcat serbe në Kosovë.?

Disa nga eksponatet e rrobave Veselit ia shpjegoi drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu i cili tha se në që nga 2004 në pakot e  vendosura aty ruhen rrobat e të zhdukurve.

Ai tutje tha se edhe 500 pako tjera pritet që të vendosen në këtë hapësirë.

"Të gjitha rastet i kanë rrobat që nga 2004-ta i kanë rrobat e arkivolit në vete. Pra secili pako paraqet një histori të dhimbshme, secila pako tregon se si dikush faktikisht ka qenë i vrarë edhe është karakteristike që të gjitha janë të civilëve. I kemi edhe 500 pako të ardhshme të cilat duhet të vijnë dhe me ndihmën e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar i kemi pastruar në tri vitet e fundit dhe i kemi konservuar që mos të shkatërrohen, përndryshe për 15 vite i kemi ruajtur me stafin tim të institutit vetë vetiu në qeskat dhe në pako, u dashke me i ndërrua çdo muaj për shkak të kondensimit të ajrit", tha Gërxhaliu.

Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara tha se 948 rroba dhe artefakte ndodhen në vendin ku po ruhen eksponatet e rrobave të të vrarëve dhe artefaktet e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

"Në fazën e parë janë zhvendosur 378 kuti apo sete të rrobave dhe arte fakteve, në fazën e dytë janë bartur 570 që gjithsej janë më shumë se 948 të seteve dhe rrobave të artefakteve që për momentin menaxhohen në këtë hapësirë si zgjidhje e përkohshme për dy arsye. E para ka qenë presioni i ndërkombëtare ndaj familjarëve që me i marr me vete çoftë për t'i hedhur apo çoftë për t'i varrosur bashkë me eshtrat duke varrosur kështu dëshmitë e krimit, gjenocidit që ka ndodhur, dhe e dyta ka qenë për të evituar dëmtimin e mëtutjemë", tha Gara.

Kujtojmë që sot Kuvendi i Kosovës është mbledhur në një seancë plenare për të shqyrtuar Propozim-Rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë.

Veç kësaj në mesin e pikave të rendit të ditës së seancës së sotme është edhe ajo për formimin e Komisionit Shtetëror për krijimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krimet dhe gjenocidin serb kryer ndaj shqiptarëve.