Kosovë

Kosovë

Vjen reagimi i Vlora Çitakut rreth (mos) njohjes nga Xhamajka

Publikuar më 23 Shkurt 2020

Artikuj të ngjashëm

Lidhur me çështjen e (mos) njohjes nga Xhamajka, erdhi edhe reagimi i ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

Deri sot, Çitaku nuk është deklaruar rreth kësaj teme, ndonëse u akuzua se s'dha informacion të vërtetë. Megjithatë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pretendoi se lajmin për njohjen e shtetit të Kosovës e kishte marrë nga Çitaku.

Por, KOHA ka parë komunikimet e brendshme të njoftimeve rreth njohjes së Kosovës nga Xhamajka. Në to, ambasadorja e Kosovës në SHBA iu kishte sugjeruar autoriteteve në Prishtinë që të mos publikojnë këtë informacion pa marrë notën verbale.

"Jam përmbajtur nga deklarimi publik lidhur me kaosin e shkaktuar rreth njohjes nga Xhamjaka sepse shumë palë të tjera janë të përfshira. Palë që ndodhen jashtë Kosovës. Do të ishte jo diplomatike, jo korrekte, dhe anti-kombëtare që unë sot, për ta mbrojtur veten, të zbuloj emra dhe detaje", shkruan Çitaku në facebook.

Postimi i Çitakut:

Zëvendës Kryeministri i Kosovës, z.Haki Abazi qenka marrë pak me mua. Më paska quajtur mua dhe Ambasadën në SHBA instrumente në shërbim të Presidentit, e jo të Kosovës.

Nuk është hera e parë që z.Abazi merret me mua dhe shpif kundër meje. Nuk e kam kuptuar ende pse. Nuk i jam përgjigjur më herët sepse z.Abazi nuk ka mbajtur post publik dhe nuk ka pasur përgjegjësi publike.

Jam përmbajtur nga deklarimi publik lidhur me kaosin e shkaktuar rreth njohjes nga Xhamjaka sepse shumë palë të tjera janë të përfshira. Palë që ndodhen jashtë Kosovës. Do të ishte jo diplomatike, jo korrekte, dhe anti-kombëtare që unë sot, për ta mbrojtur veten, të zbuloj emra dhe detaje.

Çdo gjë do të sqarohet me kohë.

Zv Kryeministrit i them publikisht, meqë asnjëherë, si zv Kryeministër, nuk më ka kontaktuar që ta sqarojë situatën në fjalë, nëse nuk dëshiron të kontaktoi me mua, atëherë le ta kontaktojë Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Për më tepër, është e ditur botërisht që unë jam emëruar Ambasadore përmes çelësit politik, njësoj si shumë Ambasadorë tjerë. Kjo nuk është shkelje apo diçka e jashtëzakonshme. Në fakt, është e rregulluar me ligj. Si Ambasadore, unë i kam shërbyer Kosovës. Kam punuar me nderë tërë jetën time. E tillë do të vazhdoj të jem.

Nuk do të lejojë që puna dhe mundi i kolegëve të mi të njolloset e të përbaltet. Është e frikshme kur institucionet baltosen për inate politike e personale.

Jam shumë krenare me punën e kolegëve të mi dhe asnjëherë nuk do të dorëzohem para shantazhit publik.

E kam thënë edhe më herët, të jem Ambasadore e Kosovës në Washington DC është nderi i jetës sime.