Kosovë

Kosovë

Xhamajka sqarohet edhe zyrtarisht: S’kemi marrë asnjë vendim për Kosovën

Publikuar më 23 Shkurt 2020

Artikuj të ngjashëm

Xhamajka nuk ka marrë kurrfarë vendimi rreth njohjes së Kosovës si shtet të pavarur.

Kështu ka bërë të ditur zyrtarisht Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Tregtisë së Jashtme e Xhamajkës, në një përgjigje për Gazetën Express, në natën e së shtunës.

"Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Tregtisë së Jashtme e Xhamajkës është në dijeni për raportimet publike rreth njohjes së Kosovës si shtet i pavarur", thuhet në një komunikatë, që Njësia për Marrëdhënie me Publikun dhe Çështje Mediale e MPJTJ'së së Xhamajkës, ia ka dërguar Gazetës Express.

"Çështjet si këto janë në shqyrtim të vazhdueshëm nga Qeveria e Xhamajkës. Megjithatë, tani për tani, Xhamajka nuk ka marrë asnjë vendim rreth çështjes", thekson komunikata.

"Rrjedhimisht, është për keqardhje që ka ndodhur një keqkuptim i qëndrimit të Xhamajkës", ka bërë të ditur MPJTJ e Xhamajkës.

Komunikata nga Xhamajka vjen pak pasi ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, e ka thyer heshtjen e saj, disa ditë pas skandalit me njohjen e vendit nga Xhamajka.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte raportuar i pari, nëpërmjet një njoftimi në llogarinë e tij, në rrjetin social Twitter, se ishte informuar nga Çitaku se Kosova ka siguruar njohjen nga shteti ishullor.

Por, pak orë më vonë, Xhamajka ka mohuar se ka vendosur për njohje, duke e turpëruar Kosovën.