Kult-Showbiz

Kult-Showbiz

Debutimi i Elvana Gjatës në film tejkalon pritshmëritë

Publikuar më 02 Prill 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Atë e njohin dhe e duan si këngëtare. Por, Elvana Gjata, për të parën herë, ka sfiduar veten edhe në film. Madje, sipas të dhënave deri tash, filmi ku ajo debutoi si aktore, ka tejkaluar pritshmëritë.

Filmi "2 Gisht Mjaltë" me Elvanën dhe Ermal Mamaqin në role kryesore, tashmë është pjesë e repertorit të kinemasë "Cineplexx". Premiera e filmit u dha të premten mbrëma. Me këtë rast, Elvana, e cila ka mbaruar studimet për regji, foli për eksperiencën në këtë projekt.

Aktori e prezantuesi, Ermal Mamaqi, e ka bërë regjinë e filmit, bashkë me Emir Khalilzadeh. Elvana dhe Ermali kanë miqësi të kamotshme, kështu që bashkëpunimi mes tyre lindi natyrshëm, raporton KTV.

Të pranishëm në premierën e "2 Gisht Mjaltë", ishin edhe emra të njohur të skenës publike shqiptare si: Altuna Sejdiu, Armend Rexhepagiqi, Ana Kabashi, Amarda Toska, Onati i grupit "TDS", përfshirë edhe adhurues të filmit.

Pas Prishtinës dhe Tiranës, filmi do të prezantohet para publikut shqiptarë edhe në Maqedoni. Me t'u publikuar trailer i filmit "2Gisht Mjaltë" u vërejt një interesim i madh i njerëzve për ta parë atë. Shumica janë tërhequr nga humori i protagonistit Ermal Mamaqi, derisa të tjerët janë adhurues besnikë të këngëtares së shndërruar në aktore, Elvana Gjata. Ndër aktorët e tjerë pjesë e pastës së filmit janë: Koço Devole, Marjana Kondi, Bujar Asqeriu, Natasha Sela, Ervin Doko, Ervin Bejleri, Olta Daku, Eglein Laknori, Blerim Destani dhe të tjerë.

Sipas "Cineplexxit", filmi "2 Gisht Mjaltë" i ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë, duke shitur 5 mijë e 500 bileta për vetëm 4 ditë.