Kult-Showbiz

Kult-Showbiz

Avril Lavigne paralajmëron turneun e parë pas 5 vjetësh

Publikuar më 27 Qershor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Avril Lavigne është duke u përgatitur që të dalë në skenë për herë të parë në pesë vjet pas njoftimit të së hënës për datat e koncerteve për një turne të Amerikës së Veriut.

Këngëtarja kanadeze, e cila ka luftuar me sëmundjen Lyme që nga viti 2014, e konfirmoi lajmin me një video në Twitter.

"Tung të gjithë, jam shumë e ngazëllyer! Jam shumë e ngazëllyer, sepse mund të njoftoj se turneu Head Above Water më në fund ka mbërritur!", u tha ajo fansave të saj. "Mund të hyni në faqen time për t'i parë datat e turneut dhe për të pasur qasje në biletat e para-shitjes".

Lavigne do ta fillojë turneun më 14 shtator në Seattle, Washington dhe më pas ka koncerte të rreshtuara në Los Angeles dhe New York, përpara se ta përfundojë turneun 15-koncertësh në Philadelphia më 11 tetor, shkruan KOHA Ditore.

Ndalesa e vetme kanadeze do të jetë në Sony Centre for the Performing Arts në Toronto më 6 tetor.

Turneu do ta mbështesë albumin e saj më të ri, Head Above Water, i cili u publikua në shkurt.

Lavigne u diagnostikua me sëmundjen Lyme pak pas ditëlindjes së saj të 30-të, dhe duke folur për sëmundjen gjatë një interviste në "Access Live" në mars, ajo tha: "Nuk e dija nëse do të bëja më muzikë, por fillova të shkruaja nga shtrati për betejën time shëndetësore. Iu ktheva muzikës dhe ajo ishte me të vërtetë shëruese për mua".