Kult-Showbiz

Kult-Showbiz

Nikki Glaser i kërkon falje publike Taylor Swiftit

Publikuar më 04 Shkurt 2020

Artikuj të ngjashëm

Komedianja e njohur, Nikki Glaser, së fundi ishte përfshirë në dokumentarin e këngëtares Taylor Swift, "Miss Americana", me një koment të cilin e kishte bërë para ca kohësh rreth fizikut të pop yllit amerikan.

Dhe duke qenë se ndihet keq dhe e turpëruar nga komenti i saj, Glaser ka zgjedhur ta postojë një mesazh të gjatë në rrjetet sociale, përmes së cilit i kërkon falje publike Swiftit si dhe e pranon se është një adhuruese e madhe e muzikës së saj, transmeton Koha.net.

"Fatkeqësisht, unë jam përfshirë në dokumentarin e ri të këngëtares me një koment të keq që e kisha bërë gjatë një interviste të kamotshme, rreth pamjes së saj dhe shoqërisë që e kishte atëkohë. Dhe kjo është një çmenduri, sepse kushdo që më njeh mua, e di që jam adhuruese e madhe e saj dhe jam e obsesionuar pas muzikës së Swiftit," citohet të ketë thënë Glaser në mesazhin e saj në Instagram.

 

 

Dhe, kjo kërkim falje publike e komedianes, nuk ka kaluar pa u vënë re nga pop ylli Swift.

"Wow. E vlerësoj shumë këtë mesazh dhe një prej temave kryesore të dokumentarit tim është fakti që të gjithë ne, kemi aftësinë për të ndryshuar mendim me kalimin e kohës, të rritemi si njerëz dhe të mësojmë më shumë gjëra rreth vetes. Më vjen keq të dëgjoj se edhe ti paske pasur probleme të ngjashme me mua. Prandaj, po ta dërgoj një përqafim të madh," ka shkruar Taylor Swift në reagimin e saj.

Filmi dokumentar "Miss Americana" u lansua më 31 janar dhe bënë fjalë për jetën e Taylor Swiftit. Ndër të tjera, zbulon se në një periudhë të jetës së saj, kantautorja shumë e dashur për publikun mbarëbotëror kishte luftuar edhe me problemet e të ngrënit.