Kult-Showbiz

Kult-Showbiz

Angelina Jolie krenare me mënyrën se si vajzat e saj i kanë tejkaluar operimet

Publikuar më 11 Mars 2020

Artikuj të ngjashëm

Në një shkrim personal për revistën "Time" të publikuar me rastin e Ditës së Gruas, aktorja Angelina Jolie ka zbuluar se dy vajzat e saj, Zahara dhe Shiloh Jolie-Pitt, së fundmi i janë shtruar operimeve.

Megjithëse nuk i ka zbuluar arsyet pse ato janë operuar dhe nuk ka ndarë detaje shtesë rreth shëndetit të tyre, Jolie ka treguar që po ndihet krenare me mënyrën se si dy motrat janë kujdesur për njëra-tjetrën, gjatë këtij procesi të mundimshëm për to.

"Ato e dinë që po e shkruaj këtë artikull, sepse unë vërtetë e respektoj privatësinë e fëmijëve të mi. Por kemi biseduar dhe e kanë kuptuar se kalimi i sfidave shëndetësore dhe lufta për të mbijetuar dhe për t'u shëruar është diçka për të cilën duhet të mburremi. Dhe gjatë gjithë këtij procesi, unë i kam parë vajzat e mia duke u kujdesur për njëra-tjetrën. Po ashtu i kam shikuar teksa me shumë trimëri, janë ballafaquar me frikën. Kujdesi i tyre ndaj vetes, njëra-tjetrës dhe të tjerëve, është diçka për t'u admiruar dhe më bëri të mendoj sa të veçanta janë gratë në përgjithësi," citohet të ketë thënë Jolie.

Ndër të tjera, aktorja ka rrëfyer se edhe djemtë e saj janë treguar shumë të sjellshëm dhe të kujdesshëm, por kohëve të fundit e gjen veten të fokusuar te vajzat e saj, dhe vajzat e tjera të cilët i ka takuar anembanë botës, transmeton Koha.

Fituesja 44-vjeçare e shpërblimit Oscar, e cila njëherësh është e dërguara speciale e Kombeve të Bashkuara për çështjet e refugjatëve, është nënë e gjashtë fëmijëve: Maddox, Pax, Zahara, Shiloh, Vivienne dhe Knox.

Ndërkaq, një burim i afërt i aktores për revistën "People" ka zbuluar se, gjatë këtyre muajve të fundit Jolie nuk është larguar nga vajzat e saj për asnjë moment.

Për herë të fundit aktorja u pa në publik të dielën me dy vajzat, Shiloh dhe Vivienne, me të cilët kishte dalë për të blerë lule.