Rajon-Botë

Rajon-Botë

Irani identifikon një shtetas të burgosur amerikan

Publikuar më 17 Korrik 2017

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Irani e identifikoi një shtetas amerikan, të dënuar me 10 vjet burgim për spiunim, si Xiyue Wang, 37 vjeç, hulumtues në Universitetin Princeton.

Mizanonline, agjenci zyrtare e lajmeve për gjyqësorin në Iran, tha se Wang, i cili ka lindur në Kinë, është arrestuar më 8 gusht të vitit 2016, derisa ka bërë përpjekje të largohet nga Irani.

Sipas burimit të njëjtë, Wang ka qenë pjesë e "një projekti infiltrues" për mbledhjen e "artikujve shumë konfidencialë" për organizata amerikane dhe britanike, përfshirë Universitetin Princeton, Departamentin amerikan të Shtetit, Universitetin Harvard dhe Institutin Britanik për Studime Persiane.

Departamenti amerikan i Shtetit lëshoi një deklaratë, duke konfirmuar se "është në dijeni për raportet për Wangun".

"Ne vazhdojmë të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion për të mbështetur qytetarët amerikanë, që kanë nevojë për ndihmën tonë jashtë vendit, sidomos për lirimin e shtetasve të SHBA-së të arrestuar pa të drejtë", tha Departamenti amerikan i Shtetit.

Ky i fundit po ashtu bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë shtetasve amerikanë, të cilët, siç tha, janë ndaluar pa të drejtë në Iran.