Rajon-Botë

Rajon-Botë

Rusët kanë blerë reklama tek Google për të ndihmuar Trumpin në zgjedhje

Publikuar më 10 Tetor 2017

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Sipas njoftimeve të reja të gazetës The Washington Post, operatorët rusë blenë dhjetëra mijëra dollarë reklama në motorin gjigant të kërkimeve në internet, Google vitin e kaluar në një përpjekje për të ndihmuar manjatin e pasurive të patundshme Donald Trump të fitonte presidencën amerikane.

Njerëzit me njohuri për një hetim nga kompania Google i thanë gazetës The Washington Post se kompania globale e teknologjisë zbuloi se agjentët rusë synonin të shpërndanin informacione dezinformuese rreth zgjedhjeve të vitit 2016 nëpër disa platforma të Google, duke përfshirë faqen e saj të videos në YouTube dhe programin e tij të reklamave DoubleClick, shkruan VOA.

Sipas gazetës, ky zbulimi i Google duket se tregon se reklamat nuk ishin nga i njëjti grup i lidhur me Kremlinin, i cili bleu reklama që kishin të bënin me zgjedhjet në faqen e Facebook-ut.

Nuk ka pasur asnjë koment për raportin nga kompania Google apo zyrtarët amerikanë.

Zbulimi i raportuar për një lidhje ruse në operacionet e Google vjen pasi komisione të shumta të kongresit kanë muaj që hetojnë rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhje, një fushatë që komuniteti i inteligjencës amerikane ka arritur në përfundimin se ishte drejtuar nga presidenti rus Vladimir Putin për të minuar demokracinë amerikane dhe ndihmoj Trumpin të mposhtë sfiduesen e tij demokrate, ish Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton.

Përveç kësaj, Robert Mueller, ish-drejtor i Byrosë Federale të Hetimeve, po kryen një hetim kriminal, për të përcaktuar nëse fushata e Trumpit bashkëpunoi në mënyrë të fshehtë me rusët gjatë sezonit zgjedhor dhe nëse presidenti Donald Trump pengoi drejtësinë duke shkarkuar nga detyra ish shefin e FBI-së, James Comey, kur ai po drejtonte hetimin e agjencisë për Rusinë përpara se ky hetim të merrej përsipër nga Mueller.

Trump ka mohuar ndonjë bashkëpunim të fushatës me Rusinë, por i tha një intervistuesi televiziv se ai po mendonte për "çështjen e Rusisë" kur vendosi të shkarkojë Comeyn në maj. Një ditë pas shkarkimit të Comeyt, Trump iu mburr dy zyrtarëve rusë në një takim të Shtëpisë së Bardhë se e kishte shkarkuar Comeyn dhe e quajti atë "një të çmendur".

Trump u tha zyrtarëve rusë: "Unë u përballa me presion të madh për shkak të Rusisë. Tani e kam zgjidhur".

Por disa ditë më vonë, Mueller, megjithë kundërshtimet e Trumpit, u emërua për të drejtuar hetimin e pavarur penal të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane.