Rajon-Botë

Rajon-Botë

Sinani: Nëse Serbia i thyen ligjet e veta, pse t'i respektojnë preshevarët?

Publikuar më 10 Tetor 2017

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Kryetarja e deritanishme e komunës së Preshevës, Ardita Sinani ka deklaruar që nëse kryetarja e Parlamentit serb nuk e cakton mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në komunë të Preshevës për 14 nëntor, kur është afati i fundit ligjor, subjektet politike atë do ta bëjnë vetë.

Ardita Sinani, e cila është anëtare e Partisë për Veprim Demokratik (PVD) e Riza Halimit, mbrëmë në emision të një televizioni lokal në Preshevë, ka thënë se Qeveria e Serbisë vendimin për përbërjen e "Organit të dhunshëm", siç e quan ajo organin e parakohshëm të kësaj komune, e ka marrë në "thyerje flagrante të ligjit".

Ajo vërteton se dy anëtarët e Alternativës për Ndryshim, në organin e përkohshëm janë, sipas saj, të SNS të Vuçiqit, njëjtë sikur anëtari i tretë, i cili është nga ai subjekt, pra SNS, transmeton rtk.

Ajo ka thënë se, nëse kryetarja e Parlamentit të Serbisë nuk i cakton zgjedhjet e parakohshme lokale për 14 nëntor, kur është edhe afati i fundit ligjor, do të jenë të detyruar që atë ta bëjnë vet qoftë edhe nëse do të jenë të akuzuar nga Qeveria në Beograd që në pyetje janë zgjedhje paralele.

"Nëse vet shteti serb thyen ligjet e veta, pse nuk do t'a bënim edhe ne të njëjtën", ka thënë Sinani. Organi i përkohshëm në Preshevë, të cilin e ka emëruar Qeveria e Serbisë, pas shpërbërjes së Kuvendit komunal të komunës së Preshevës, punon me vetëm 3 anëtarë sepse anëtari i Partisë për Veprim Demokratik dhe ai i Partisë Demokratike Shqiptare e bojkotojnë punën e këtij organi.

Këto dy subjekte akuzojnë Qeverinë e Serbisë që favorizon subjektin më të ri, Alternativën për Ndryshim, i cili subjekt në përbërjen e organit të përkohshëm ka madje dy anëtare, ku njëri prej tyre është kryetari i mëhershëm i komunës së Preshevës, i cili në atë detyrë ishte para Ardita Sinanit, dhe i cili tash është kryetar i organit të përkohshëm.