Rajon-Botë

Rajon-Botë

Kërkohet fillimi i arrestimit të “peshqve të mëdhenj”

Publikuar më 08 Nëntor 2017

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Ambasadori amerikan përshëndeti operacionin "Forca e Ligjit" i prezantuar nga Ministria e Brendshme dhe për herë të parë vendosi afate se kur pret rezultate nga ky operacion.

"Të flasim me vepra dhe jo me fjalë. Presim që ky plan agresiv i Qeverisë së Shqipërisë të përfundojë me arrestimin dhe ndjekjen penale të disa peshqve të mëdhenj në fillim të vitit të ardhshëm dhe ky sukses të vazhdojë me SPAK-un dhe BKH-në", deklaroi ambasadori Donald Lu.
Kjo është ajo që presin partnerët ndërkombëtarë, tha Lu, e po ashtu edhe qytetarët shqiptarë. Lu vlerësoi planin.

"Ju keni një shprehje "dielli duket që në mëngjes". Na pëlqen që ky plan veprimi e pranon qartë dhe prerë se krimi i organizuar shqiptar është problem serioz dhe kërcënim për sigurinë kombëtare. Deri tani organet e drejtësisë penale kanë dështuar ndaj grupeve kriminale", vijoi ai.
Ambasadori tha se Shqipëria ka një problem me lidhjet e grupeve kriminale me politikanë dhe kërkoi që kjo të mos mohohet.

"Nëse e mohoni këtë shqyrtoni rastet e Arben Ndokës, Mark Frrokut, Elvis Roshit dhe Gentian Mahmutajt. SHBA do të angazhohen fuqimisht kundër krimit të organizuar pavarësisht lidhjeve që mund të ketë me politikanë, biznesmenë, gjyqtarë e prokurorë", u shpreh ai.

E duke iu rikthyer sërish shprehjeve popullore, kryediplomati amerikan tha se është koha që "të hamë peshkun e madh". "Ju thoni "peshku i madh e ha të voglin". Për një herë të vetme në Shqipëri le të hamë peshkun e madh", tha ai.

Edhe ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin tha se komuniteti ndërkombëtar pret rezultate konkrete. "Qytetarëve shqiptarë u ka ardhur në majë të hundës. Nuk mbajnë më nga këto dekada arrogance të të korruptuarve dhe interesave kriminale. Nuk duhet të ketë më të paprekshëm të cilët arrijnë të blejnë drejtësinë", tha Ambasadorja.

Ndërkohë, ministri Fatmir Xhafaj tha se plani dhe ngritja e task forcës është një qasje e re dhe e vendosur e qeverisë për një luftë frontale ndaj strukturave të krimit.

"Është një rrugë e re për institucionet ligjzbatuese. I hapim luftë shumëfrontale strukturave të krimit. Qeveria ka gjithë vullnetin dhe mekanizmat për këtë luftë. Krijimi i task forcës speciale është një tregues kuptimplotë i marrjes së përgjegjësisë ligjore dhe politike nga kjo qeveri", deklaroi Xhafaj.
Ministri tha se me gjithë progresin e bërë, jemi larg standardit të një shoqërie ku sundon ligji dhe drejtësia.