Rajon-Botë

Rajon-Botë

Turqia mohon të ketë pasur komplot për rrëmbimin e Gulenit

Publikuar më 13 Nëntor 2017

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Turqia po mohon një artikull sipas së cilit mund të ketë diskutuar me një ish-zyrtar të administratës së Presidentit Donald Trump për një komplot për kapjen e një kleriku mysliman që jeton në Shtetet e Bashkuara.

Sipas artikullit botuar në gazetën "Wall Street Journal", Prokurori i Posaçëm Robert Mueller po heton një plan që mendohet se mund të ketë përfshirë ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare të Presidentit Trump, Michael Flynn, për të rrëmbyer klerikun Fethullah Gulen, i cili që prej vitit 1999 jeton në Shtetet e Bashkuara.

Sipas artikullit, Flynn dhe i biri pritej të merrnin deri në 15 milionë dollarë në këmbim të dorëzimit të tij tek Turqia.

Në një deklaratë të shtunën në mbrëmje, ambasada turke në Uashington i quajti akuzat se Turqia mund të përdorte mjete të paligjshme për ta kthyer Gulenin në Turqi "krejtësisht të rreme, qesharake dhe pa bazë."

Turqia pretendon se kleriku orkestroi përpjekjen për grusht shteti në korrik 2016 nga anëtarë të ushtrisë turke, që shkaktoi vdekjen e 240 vetëve. Gulen ka mohuar të ketë luajtur rol në komplotin për të përmbysur qeverinë e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.

Në deklaratën që përgënjeshtronte artikullin në gazetën "Wall Street Journal", Turqia thoshte se vazhdon të punojë me institucionet amerikane për të siguruar ekstradimin e Gulenit dhe përsëriti akuzat se kleriku ishte organizatori i përpjekjes për grusht shteti.