Rajon-Botë

Rajon-Botë

Megjithë sulmin në xhami, sufistët do të kremtojnë ditëlindjen e Muhamedit

Publikuar më 27 Nëntor 2017

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Myslimanët Sufi në Egjipt thanë se do të vazhdojnë me planet për kremtimin e përvitshëm të ditëlindjes së profetit Muhamed, megjithëse vendi është ende i tronditur nga masakra në xhaminë e Sinait që shkaktoi vdekjen e 305 besimtarëve dhe plagosjen e 128 të tjerëve.

Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin e së premtes, që besohet gjerësisht të jetë ndërmarrë sepse sufistët faleshin tek xhamia Al-Rawdah në një fshat me të njëjtin emër. Sufistët janë anëtarë të një lëvizjeje mistike brenda Islamit dhe shihen si heretikë nga ekstremistët islamistë.

Sufistët thanë se do të shënojnë ditëlindjen e Muhamedit të premten e ardhshme në gjithë vendin dhe në xhaminë Al-Hussein të Kajros, një nga objektet më me peshë në Egjipt.

Sipas urdhrit të Presidentit Abdel-Fattah el-Sissi, Egjipti po mban tre ditë zi për masakrën që ndodhi kur imami ishte gati të fillonte lutjet. Duket thirrur Allahu Akbar, Zoti është i Madh, 25 deri në 30 ekstremistë hapën zjarr dhe hodhën granata ndaj rreth 500 vetëve që ishin në xhami.

Presidenti el-Sissi, tha se sulmi "nuk do të kalojë pa u ndëshkuar", por nuk saktësoi se çfarë hapash do të merren.