Rajon-Botë

Rajon-Botë

Shqipëria meriton hapjen e pakushtëzuar të negociatave me BE

Publikuar më 05 Prill 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

"Shqipëria e meriton çeljen e pakushtëzuar të negociatave me BE-në", deklaroi sot në Tiranë europarlamentari Knut Fleckenstein.

Në një konferencë për shtyp, ai tha se Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkimit Europian për çeljen e negociatave duke theksuar se një proteste nuk mund të ndikojë në opinionin e Parlamentit Europian për hapjen e negociatave.

Në fjalën e tij, Fleckenstein bëri të ditur se gjatë vizitës dy ditore ka zhvilluar takime me kryeministrin Edi Rama, kryetarin e PD, Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi.

Sipas tij, Shqipëria është në rrugën e duhur. "Ne mendojmë se Këshilli i Europës duhet të çel në mënyrë të pakushtëzuar negociatat me Shqipërinë. Vizita ime në vendin tuaj vjen në kuadër të Konventës së Sofjes në Bullgari që do të mbahet në prill. Vizita ime është rutinë dhe zhvillova takime të rëndësishme. Mazhoranca dhe opozita duhet të punojnë bashkarisht për rrugën europiane të vendit. Opozita është normale që të jetë kritike ndaj, për mua ka rëndësi që edhe ajo shprehu frymë pozitive sa i takon negociatave", vijoi Fleckenstein.

Duke folur për protestat, ai kërkoi që palët të ruajnë këtë të drejtë, por duhet zbatuar ligji dhe duhet ruajtur gjakftohtësia. "Protestat janë pjesë e demokracisë dhe është normale që dhe politika ka pjesën e saj në protesta. Ligji është i barabartë për të gjithë, si për qytetarin ashtu edhe për policinë. Rëndësi ka për mua që protesta të mos precipitojë në dhunë. A do ndikojë kjo tek opinioni i Parlamentit Europian për negociatat? Jo, nuk është një protestë që ndikon në opinionin e Parlamentit të Bashkimit Europian për çështjen e çeljes së negociatave", tha Fleckenstein.

"Nëse do bllokoja rrugët e vendit tim do më vrisnin", vijoi ai duke theksuar se ky është një mendim më shumë personal.

Ai gjithashtu përjashtoi mundësinë që negociatat mes Shqipërisë dhe Greqisë sa i takon çështjes së detit të bëhet pengesë për hapjen e negociatave, ai tha se "pyetjeve të vështira të parlamentarëve europian dhe vendeve të BE-së ne i rezervojmë përgjigje pozitive për Shqipërinë. Nuk mendoj se çështja e kufirit detar me Greqinë do të ndikojë në hapjen e negociatave. Shqipëria dhe Greqia kanë zhvilluar tryeza pozitive për të zgjidhur problematikat mes tyre", tha ai.

"Shqipëria ka plotësuar të gjitha kërkesat, ose të paktën është në rrugën e mbarë për ti plotësuar ato. Reforma në Drejtësi dhe Vetting-u ka nisur. Po ashtu një sërë çështjesh të tjera po ecin në rrugën e duhur. Nuk po them që janë realizuar por Shqipëria po punon fort për t'i realizuar ato dhe ne kemi besim se me bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës të arrihet ky qëllim", tha Fleckenstein.

"Urojë që në shtator, që kam vizitën tjetër këtu, të jemi duke festuar çeljen e negociatave dhe të diskutojmë sfidat e tjera të mëdha që na presin", përfundoi europarlamentari Knut Fleckenstein.