Rajon-Botë

Rajon-Botë

Pas marrëveshjes me Greqinë, Maqedonia së shpejti në NATO

Publikuar më 29 Qershor 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Pas finalizimit të marrëveshjes mes Greqisë dhe Republikës Veriore të Maqedonisë, tashmë kjo e fundit do të mund t'i bashkohet NATO-s në një të ardhme të afërt. Dhe kjo vlerësohet nga NATO  si një mundësi historike, të cilën nuk duhet ta humbas Maqedonia. Kështu është vlerësuar në një takim të Kryeministrit Maqedonas Zoran Zaev në Zyrat Qendrore të NATO-s, me sekretarin e saj Jens Stoltenberg.

Ai e ka cilësuar marrëveshjen për emrin  të madhe dhe historike.  "Është një marrëveshje e madhe, për Shkupin dhe për Athinën.  Marrëveshja gjithashtu demonstron vlerën e një diplomacie këmbëngulëse. Do të doja gjithashtu t'iu përgëzoja për aftësitë tuaja udhëheqëse e kurajën, gjë që ka bërë të mundur arritjen e kësaj marrëveshjeje", tha Jens Stoltenberg.

Sipas tij, mosmarrëveshja për emrin pat lënë në hije të gjithë rajonin për një kohë të gjatë duke e lënë prapa prosperitetin dhe sigurinë.

Mirëpo, siç tha ai, tani ka një shans për një të ardhme më të ndritur dhe marrëveshja është një shembull për të gjithë të tjerët në rajon, se si duhet konsoliduar paqen dhe stabilitetin.

" Në Samitin tonë pas dy javësh, pres që krerët e shteteve dhe të qeverive të Aleancës, t'iu bëjnë ftesën për të nisur bisedimet për anëtarësim. Dhe sapo të keni përfunduar me të gjitha procedurat nacionale për finalizimin e marrëveshjes, ju do t'i bashkoheni NATO-s", tha ai.

Stoltenberg, ndërkaq deklaroi se pa  finalizimin e marrëveshjes, Republika Veriore e Maqedonisë nuk do të mund t'i bashkohet NATO-s në një të ardhme të afërt.

"Pra keni një mundësi historike, të cilën nuk duhet ta humbisni.  Dyert e NATO-s janë të hapura dhe ju tani ndodheni në prag (para dyerve). Duke bashkëpunuar me NATO-n, ju tashmë e keni shfaqur përkushtimin tuaj për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Për shembull, keni kontribuuar për prezencën tonë në Afganistan. Ju gjithashtu jeni duke kontribuuar në vazhdimësi në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. NATO e ndanë këtë përkushtim për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit", tha sekretari i NATO-s,  Jens Stoltenberg gjatë takimit me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev.

Sipas sekretarit, kjo është e rëndësishme, jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për gjithë Evropën.

"Kështu që, kryeministër, ne duam t'iu shohim ju dhe vendin tuaj në zemër të një rajoni stabil, demokratik dhe prosperues.  Dhe ne do t'iu përkrahim. Mezi pres të vazhdojmë punën tonë bashkë me ju dhe gjithashtu t'iu mirëpres në Samitin e NATO-s në korrik", tha  ai.

Ndërkaq, i pyetur nëse ka folur me presidentin maqedonas, lidhur me refuzimin e tij për të nënshkruar marrëveshjen për emrin, Stoltenberg nuk ka dhënë detaje, duke thënë se "këto janë çështje të brendshme. Ne do të ftojmë ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë që nis bisedimet e anëtarësimit në korrik. Pas procesit të anëtarësimit, ju do të keni mundësi t'i bashkoheni NATO-s. Se sa shpejt do të ndodh kjo, varet nga institucionet në Shkup.  Ju do të bëheni aleatë të NATO-s, atëherë kur të përfundoni me proceset e brendshme" .

Sekretari i NATO-s, i pyetur se çfarë do të ndodh në Samitin e korrikut, si dhe çfarë përmbajnë bisedimet për anëtarësim, sa do të zgjasin ato, dhe a do të ngritët flamuri i Maqedonisë, tha se qeveritë anëtare të NATO-s, duhet ta  ftojnë ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë për t'i nisur bisedimet për anëtarësim dhe se normalisht bisedimet do të zgkasin disa muaj.

"Pas finalizimit të bisedimeve për anëtarësim, do të nënshkruhet protokolli për anëtarësim, i cili më pas do të ratifikohet. Ndërsa se sa mund të zgjas kjo, unë mund t'iu jap shembullin e Malit të Zi. Mali i Zi u ftua në dhjetor të 2015 dhe procesi u kompletua në mars të 2016; më pas të gjithë 29 aleatët e ratifikuan atë në qershor të 2017. Secili ratifikim varet nga shteti që synon anëtarësimin. Kur u ftuan Shqipëria e Kroacia, ato iu bashkuan Aleancës pas një viti. Sapo të nënshkruajmë protokollet e anëtarësimit, atëherë vendi do të ftohet të marrë pjesë në mbledhjet e NATO-s, të ulet në tryezë bashkë me kombet e tjera në Këshill. Pra, ju duhet të bëni ndryshimet e domosdoshme në Kushtetutë me emrin e ri dhe të kapni këtë moment historik", tha ai.

Sipas tij, në rast se ky rast hidhet poshtë,  atëherë është e vështirë të paramendohet një rast tjetër në një të ardhme të afërt. "I mbetet popullit që të vendos", tha Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ndërkaq, kryeministri i Maqedonisë, Zoran  Zaev tha shkurt se jemi shumë afër dhe sipas tij, ky moment ka qenë edhe thirrje e gjeneratave të tëra që prej shpalljes së pavarësisë e deri më tani.