Rajon-Botë

Rajon-Botë

Trump nuk shkon në ceremoninë përkujtimore për McCain

Publikuar më 01 Shtator 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Presidenti Donald Trump mungon dukshëm në ceremonitë e përkujtimore që po zhvillohen për senatorin John McCain. McCain dhe Trump nuk u pajtuan për një numër çështjesh, duke përfshirë marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Disa analistë e shohin grindjen mes tyre si simbolikën e përplasjeve të vlerave brenda Partisë Republikane.

Në pesë ditët e homazheve për senatorin republikan John McCain ... një numër figurash të shquara në politikën amerikane, përfshirë ish-nënpresidentin, Joe Biden, i cili foli në shërbesën e së enjtes për të nderuar mikun e tij të afërt.

"Gjithmonë e kam menduar Johnin si vëlla. Kemi pasur shumë zënka si të ishim në një familje."

Biden ishte kandidati për nënpresident në zgjedhjet presidenciale të 2008-ës që i fitoi Barack Obama.

Një ish rival tjetër, George W. Bush, mposhti John McCain për kandidaturën presidenciale republikane në vitin 2000.

Këta politikanë kanë luftuar me senatorin McCain, ndonjëherë edhe ashpër. Megjithatë, ai u kërkoi të dy ish presidentëve, Bush dhe Obama, të mbajnë fjalime lamtumire në funeralin e tij.

"Shumë herë kur bisedon me njerëz që dikur ishin armiqtë e tij politikë, sheh se tani janë miqtë e tij më të mirë. Ai ishte në gjendje të ndryshonte situatën dhe të rregullonte marrëdhëniet", thotë Peter Kunhardt regjisor i dokumentarit "For Whom the Bell Tolls".

I vetmi që mungon në shërbimet përkujtimore për senatorin McCain? Presidenti Donald Trump.

"Nuk jam i sigurt nëse kemi parë ndonjëherë, të paktën në jetën tonë, një situatë si kjo ku një president republikan dhe një senator republikan nuk e pëlqejnë njëri-tjetrin në një shkallë të tillë sa të mos të ftohet për funeralin e tjetrit dhe kur presidenti ndryshon mendimin nëse do të ngrejë flamurin në gjysmë shtize", thotë David Barker me Universitetin Amerikan.

Flamuri mbi Shtëpinë e Bardhë u ul në gjysmë shtize, më vonë u ngrit dhe pastaj përsëri u ul, pas kritikave të ashpra për presidentin Trump.

Përveç një ngushëllimi në Twitter ditën e vdekjes së senatorit McCain, deklarata e parë publike e presidentit Trump erdhi dy ditë më vonë.

"Ne vlerësojmë shumë gjithçka që senatori McCain ka bërë për vendin tonë".

McCain ishte një kritik i ashpër i presidentit, për të cilin mendonte se ishte shumë pranë Moskës.

McCain e shihte Presidentin rus Vladimir Putin si një diktator dhe shpesh nxiti veprime të Kongresit kundër tij.

Më pas erdhën pikëpyetjet e presidentit Trump nëse McCain ishte një hero i Luftës së Vietnamit.

"Është hero lufte, sepse u kap rob. Më pëlqejnë njerëzit që nuk kapen".

Analistët thonë se armiqësia McCain - Trump përfaqëson luftën midis pushtetarëve të vjetër dhe të rinj të partisë republikane.

"Të pëlqen ose jo, partia e re republikane është tani partia e Trumpit. Nuk është një parti rreth tregut të lirë apo tregtisë së lirë apo e parimeve që e dallonin dikur partinë republikane, përfshi disa nga ato që dallonin senatorin John McCain, si politika e jashtme fuqishme", thotë analisti David Barker.

Përsa i përket senatorit McCain, ai duket se po dërgon një mesazh të fundit jo vetëm për Trumpin, por edhe Putinin, duke zgjedhur disidentin rus Vladimir Kara-Murza si një nga njerëzit që do të mbajnë arkivolin e tij.