Rajon-Botë

Rajon-Botë

PD: Për pasuritë e politikanëve, një ligj të veçantë

Publikuar më 09 Shtator 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Demokratët e kanë emërtuar nismën e tyre të fundit kushtetuese si "vetting të politikanëve", por vetë ata pranojnë se bëhet fjalë më shumë për një zgjatim apo thellim të dekriminalizimit.

Kjo pasi ndryshimet kushtetuese që propozon PD-ja e vënë theksin te pastërtia e figurës së politikanit, duke synuar që të largojnë nga politika ata që kanë lidhje me krimin.

Drafti i demokratëve parashikon edhe plotësimin e një formulari nga ana e politikanëve, njësoj si për gjyqtarët dhe prokurorët, përsa i përket figurës së tyre dhe lidhjeve apo kontakteve me njerëz të papërshtatshëm. Por, në krahasim me vetting-un e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ky është vetëm një prej aspekteve të kontrollit të trefishtë, pasi njerëzit e drejtësisë verifikohen gjithashtu për aftësinë profesionale dhe pasurinë e tyre, e cila, nëse rezulton e pajustifikuar, u sjell shkarkimin nga detyra.

Kontrolli i pasurisë nuk është kaq i qartë në propozimin e PD-së për politikanët. Gjyqtarëve dhe prokurorëve u kërkohet të plotësojnë një formular të posaçëm për këtë, gjë që nuk gjendet në nismën e selisë blu. Gjithsesi, Neni 2, pika 5 në amendamentin e PD-së parashikon se kush "nuk justifikon ligjshmërinë e pasurisë sipas vendimit të organit përgjegjës kushtetues, zbatohet masa e ndalimit për t'u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra". Cili është ky organ përgjegjës për verifikimin e pasurisë mbetet e paqartë. Pas interesimit të Top Channel, selia blu shpjegoi se kjo do të përcaktohet më pas me ligj të posaçëm.

Në rastin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, përveç ILDKPKI-së, janë edhe organet e vetting-ut, nën mbikqyrjen ndërkombëtare të ONM-së, që kalojnë në sitë pasuritë e njerëzve të drejtësisë. Ndërsa për politikanët ende nuk dihet kujt mund t'i besohet një kontroll i tillë, në kushtet kur vetë ILDKPKI-ja e ka të pamundur të kryejë verifikime jashtë vendit.

Pikëpyetje mbeten edhe mbi organet që do të hetojnë lidhjet e politikanëve me krimin. Për vetting-un në drejtësi informacioni vjen nga SHISH-i, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe SHKB-ja. Por këto organe opozita i cilëson si nën kontrollin e kryeministrit apo të influencuara prej tij. Përsëri mbetet pyetja: kush do t'i verifikojë politikanët?

Drafti i PD-së nuk ka një përgjigje për këtë...