Rajon-Botë

Rajon-Botë

Demokratët fituan Dhomën e Përfaqësuesve ndërsa republikanët Senatin e SHBA-së

Publikuar më 07 Nëntor 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Rezultatet preliminare jozyrtare të zgjedhjeve për Kongres tregojnë se demokratët në Shtetet e Bashkuara do të fitojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve derisa republikanët do të kenë kontrollin e Senatit.

Rezultati i zgjedhjeve të 6 nëntorit thekson se sa të ndarë janë amerikanët për qeverisjen e tyre si dhe ky rezultat përbën rrezik për dy vjetët e ardhshme të mandatit të presidentit amerikan, Donald Trump.

Në një postim në orët e vona të 6 nëntorit, Trump e ka cilësuar rezultatin e zgjedhjeve "sukses të jashtëzakonshëm".

Bazuar në rezultatet preliminare, është parë se demokratët janë në rrugë për të fituar shumicën nëse jo të 23 ulëset e duhura për të kontrolluar Dhomën e Përfaqësuesve.

Sa i përket Senatit, republikanët kanë fituar të paktën dy ulëse nga demokratët duke fuqizuar kontrollin e dhomës së lartë të Kongresit.

Ndonëse ka pasur raportime për probleme në disa qendra të votimit, duke përfshirë radhët e gjata dhe mosfunksionimi i skenerëve kompjuterikë, Sekretarja amerikane për Siguri të Brendshme, Kirstjen Nielsen, u ka thënë gazetarëve se nuk ka shenja " të kompromisit në infrastrukturën e zgjedhjeve kombëtare".

Aktualisht, republikanët kontrollojnë Senatin me 51 ulëse në krahasim me 47 sa kanë demokratët.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët kanë 235 ulëse në krahasim me 193 sa kanë demokratët.

Kjo i bie që demokratëve u janë dashur edhe 23 ulëse për të fituar kontrollin në këtë trup.

Nëse fitojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, demoratët pritet të rinisin hetimin për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, si dhe supozimet për bashkëpunim në mes të ndihmësve të Trumpit dhe zyrtarëve rusë.

Nëse republikanët do të kenë kontrollin e kësaj Dhome, Trumpi pritet të shtyjë përpara legjislacionin për zvogëlim të taksave dhe përpjekjet për tkurrjen e Qeverisë Federale.

Sipas të dhënave të profesorit të Universitetit të Floridas, Michael McDonald, të paktën 44 shtete kanë tejkaluar numrin e përgjithshëm të votave të hershme në krahasim me zgjedhjet e vitit 2014.

Përveç ulësve në Kongres, shumë shtete do të zgjedhin edhe guvernatorët e tyre dhe anëtarët e rinj të legjislaturës shtetërore.

Disa shtete kanë mbajtur edhe referendum në çështje specifike si taksat, dhuna ndaj kafshëve, legalizimi i marihuanës dhe rritja e pagës minimale.

Votuesit në Kolorado kanë zgjedhur demokratin Jared Polis si guvernatorin e tyre, duke u bërë kështu burri i parë gejë që ka treguar publikisht statusin e tij dhe është zgjedhur në një pozitë të tillë në SHBA.

Nga të gjitha aspektet, fushata zgjedhore ka qenë tejet e ashpër, në shkallën që nuk është parë me vite të tëra. Ekonomia e fortë dhe numri i vogël i papunësisë do të duhej të konsideroheshin lajm i mirë për presidentin dhe partinë e tij në zgjedhjet për Kongres që mbahen pas gati dy vjetëve prej kur presidenti fiton mandatin e tij katërvjeçar.

Mirëpo qasja e ashpër e Trumpit dhe politikat e tij sociale duket se ka ndikuar në aftësinë e republikanëve për t'u lavdëruar për çështjet ekonomike.

Përndryshe, fushata e këtyre zgjedhjeve është përcjellur me një valë të ngjarjeve në SHBA, duke përfshirë dërgimin e pakove me material shpërthyes drejt kritikëve të Trumpit dhe masakarën në një sinagogë në Pitsburg që kanë lënë të vdekur 11 persona, teksa sulmuesi ka treguar para sulmit se vrasësi ka pasur pikëpamje anti-semite. (REL)