Rajon-Botë

Rajon-Botë

SHBA-ja s'do të tërhiqet nga Siria pa marrë garancinë turke se s'do të sulmojë kurdët

Publikuar më 07 Janar 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

John Bolton, këshilltari për sigurinë kombëtare i Presidentit Donald Trump, tha të dielën se tërheqja e 2 mijë trupave amerikane në Siri, nuk do të jetë e nxituar dhe do të kushtëzohet nga garancitë turke se nuk do të vërë në shënjestër luftëtarët kurdë që janë aleatë të forcave amerikane.

Bolton, gjatë një vizite në Izrael për bisedime me kryeministrin Benjamin Netanyahu, tha se nuk ka afat për tërheqjen e trupave por se nga ana tjetër prania amerikane në Siri nuk është e pakufizuar. Komentet e Boltonit ishin konfirmimi i parë publik se procesi i tërheqjes është ngadalësuar që nga sinjalet e para se do të bëhej brenda 30 ditësh.

Këshilltari Bolton tha Trumpi "do që kalifati i ISIS-it të shkatërrohet", duke iu referuar Shtetit Islamik që në të kaluarën e kishte konsideruar Raqqa-n në Sirinë Veriore, kryeqytetin e territorit të vet fetar në Siri dhe Irak.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare tha se "afati varet nga diskutimet e politikave që duhet të zbatojmë".

Më 19 dhjetor, Presidenti Trump shpërfilli sugjerimet e zyrtarëve të sigurisë kombëtare dhe befasoi aleatët kur deklaroi se po i tërhiqte trupat amerikane nga Siria, ku ata kanë kryer sulme ajrore dhe kundër Shtetit Islamik dhe pozicioneve siriane dhe kanë shërbyer si këshilltarë të luftëtarëve kurdë.

Njoftimi i tij, ngjalli kundërshtime të shumta, përfshirë nga ligjvënës republikanë. Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis dha dorëheqjen në shenjë proteste.