Rajon-Botë

Rajon-Botë

Opozita shpall fitoren në tri qytetet e mëdha në Turqi

Publikuar më 01 Prill 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Lideri i partisë më të madhe opozitare në Turqi ka thënë se kandidatët e partisë së tij kanë fituar në tri qytetet më të mëdha të vendit në zgjedhjet e së dielës, sipas të dhënave të partisë së tij.

Duke folur në një konferencë për media në Ankara, lideri i Partisë Popullore Republikane, Kemal Kilicdarouglu ka thënë se kandidatët e partisë së tij kanë fituar në Ankara, Stamboll dhe Izmir, raporton Reuters, transmeton Koha.net.

Sipas tij, kjo parti ka fituar edhe në shumë qendra tjera duke e mposhtur partinë e presidentit Tayyip Erdogan.

"E di se kemi fituar në Stamboll, është shumë e qartë", ka thënë kandidati i kësaj partie Ekrem Imamoglu.

21:28

Erdogan pranon se ka humbur në disa qytete

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka pranuar se partia e tij Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, nuk ka dalë e suksesshme në disa qytete në zgjedhjet lokale të mbajtura sot.

Ai ka pranuar se kjo është domosdoshmëri e demokracisë.

Siç raporton Reuters, Erdogan ka thënë se do të fokusohet në ekonomi, mbrojtje e prodhim industrial.

Erdogan ka thënë se zgjedhjet e ardhshme do të mbahen në qershor të vitit 2023.

Sipas rezultateve deri tash, Erdogan dhe partia e tij kanë humbur Ankaranë pas shumë vjetësh.

21:04

Erdogani mund ta humbë Ankaranë pas 25 vjetësh

Partia në pushtet AKP e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, kryeson në zgjedhjet e sotme lokale në Turqi, por mund të humbasë pushtetin në kryeqytetin Ankara pas 25 vjetësh, njofton televizioni shtetëror turk TRT.

AKP ka fituar gati 47% të votave në zgjedhjet e sotme, me partinë kryesore të opozitës që përbën 31%, sipas gjysmës së vendvotimeve të numëruara.

Në Ankara, opozita udhëheq me 49.5% të votave, transmeton TRT.

Beteja kryesore e Ankarasë në zgjedhjet e sotme shihet si një provë e popullaritetit të Erdogan në kohën e vështirësive ekonomike dhe rritjes së inflacionit, transmeton KP.

20:11

Në Turqi janë mbyllur vendvotimet në zgjedhjet që po cilësohen test për Erdoganin

Në Turqi janë mbyllur vendvotimet për zgjedhjet lokale, ku të drejtë vote kishin mbi 57 milionë qytetarë.

AP përkujton se këto zgjedhje janë një test kyç për popullaritetin e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim në kohën e rënies të mprehtë ekonomike në vend.

Në këto zgjedhje do të përcaktohen kryetarët e ri për 30 qytete dhe 51 kryeqytete të provincave, si dhe krerët e 922 rretheve në Turqi dhe deputetët e kuvendeve lokale.

Në zgjedhjet e kaluara lokale në vitin 2014, partia e Erdoganit fitoi pothuajse 43 për qind të votave dhe mbajti pushtetin në Stamboll dhe kryeqytetin Ankara.

Zgjedhjet lokale presidenti turk i cilësoi si "një pikëmbështetje kyçe për demokracinë" dhe shtoi se suksesi i partisë së tij do t'i shtonte një "fuqi të madhe" administratës presidenciale.