Rajon-Botë

Rajon-Botë

Ndryshimi i emrit të Maqedonisë Veriore në epiqendër të votimeve presidenciale

Publikuar më 20 Prill 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale të së dielës në Maqedoninë e Veriut konsiderohet si testi kyç për mbijetesën e Qeverisë së qendrës së majtë në një shoqëri thellësisht të ndarë shkaku i ndryshimit të emrit të shtetit për përfundimin e përplasjes disadekadëshe me Greqinë fqinje.

Ndryshimi i emrit të shtetit në Maqedonia e Veriut, në kuadër të një ujdie që i hapi rrugë shtetit të vogël ballkanik drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian, ka qenë temë kryesore e fushatës zgjedhore, me ç'rast njëri prej dy kandidatëve kryesorë u zotua që ta sfidojë marrëveshjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, shkruan sot Koha Ditore.

Tre profesorë universitarë të drejtësisë, përfshirë njërin nga komuniteti i shqiptarëve, po kandidojnë për postin kryesisht ceremonial.

Shkupi dhe Athina arritën marrëveshje qershorin e shkuar që ish-Republika jugosllave të ndryshojë emërtimin në këmbim të tërheqjes së kundërshtimit të Greqisë për anëtarësimin e vendit në NATO.

Dy shtetet fqinje kanë pasur përplasje të thella rreth çështjes qysh se vendi e shpalli pavarësinë në fillim të viteve '90 - Greqia pretendoi se përdorimi i termit "Maqedoni" nënkuptonte pretendim territorial në krahinën e saj veriore me të njëjtin emër dhe uzurpim të kulturës dhe trashëgimisë së saj të lashtë.

Marrëveshja ka nxitur kundërshtime të ashpra në të dy vendet, me ç'rast kritikët i akuzuan qeveritë respektive për lëshime të tepërta ndaj njëra-tjetrës.