Rajon-Botë

Rajon-Botë

Drejtuesit e shkollave e quajnë të dështuar garën e diturisë

Publikuar më 13 Maj 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Testi i garës së diturisë i mbajtur të shtunën në nivelin e arsimit parauniversitar po konsiderohet i dështuar nga drejtues shkollash, drejtorë komunalë e njohës të çështjeve të arsimit.

Testi është organizuar në kuadër të projektit nacional për rininë, që udhëhiqet nga koordinatori nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, shkruan sot "Koha Ditore". Sipas mësimdhënësve, testi ka pasur gabime dhe pasaktësi të shumta.

Ndonëse ka qenë i paraparë të mbahet në gjithë Kosovën, në disa shkolla ka dështuar realizimi i tij pasi testet nuk u ishin dërguar fare. Anëtarë të Komisionit parlamentar për arsim kanë paralajmëruar se do të kërkojnë përgjegjësi nga Qeveria dhe ministri i Arsimit për organizimin e kësaj gare me shumë probleme.

Në janar të këtij viti, Qeveria e Kosovës e kishte miratuar planin e veprimit të programit nacional për rininë. Programi parasheh gara në tri fusha, gara të diturisë, gara në kreativitet dhe mendim kritik, si dhe gara sportive. Programi nacional i rinisë, përveç testeve dhe aktiviteteve të tjera, parasheh edhe shpërblime për shkolla, për mësimdhënës etj.