Rajon-Botë

Rajon-Botë

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian 2019: E panjohura e njohur

Publikuar më 23 Maj 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Për herë të parë që nga viti 1979, dy grupe politike më të mëdha në Bashkimin Evropian, Partia Popullore Evropiane dhe Social Demokratë do të humbasin shumicën në zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian. Kështu në mes tjerash konkludon Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK) në studimin e fundit: ZGJEDHJET PËR PARLAMENTIN EVROPIAN 2019: E PANJOHURA E NJOHUR. Linku: https://www.epik-eu.com/sq/publikimet

Studimi në 77 faqe, në mes tjerash, vlerëson se Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve dhe En March e Presidentit Franqez Macrone do të jenë fituesit e zgjedhjeve. Por festës së fitores do të iu bashkëngjiten edhe popullistët të bashkuar rreth koalicionit të sapo formuar Aleanca Evropiane e Popujve dhe Kombeve (ish-ENF), të udhëhequr nga Salvini i Italisë, Le Pen e Francës dhe partitë të tjera të ekstremit të djathtë sikur Alternativa për Gjermaninë dhe Partia e Lirisë së Austrisë.

Image

E gjithë kjo do të krijojë një Parlament Evropian më të fragmentuar, i cili do të kërkojë krijimin e aleancave të reja në kuadër të themelimit të institucioneve të reja të BE-së. Pas zgjedhjeve do të fillojnë negociatat për orientimet kyçe të politikave të BE-së për periudhën 2019-2025, formësimin e koalicioneve dhe ndarjen e posteve, ku mes tjerash poste kyçe do të janë Presidenti i Këshillit Evropian, Presidenti i Parlamentit Evropian, Presidenti i Komisionit Evropian, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme, si dhe Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane.

ZGJEDHJET PËR PARLAMENTIN EVROPIAN 2019

Nga 23-26 maj 2019, afro 400 milionë votues do të iu drejtohen kutive të votimit në Bashkimin Evropian. Ata do zgjedhin 751 deputetë të cilët do t'i përfaqësojnë ata në Parlamentin Evropian. Zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian përbëjnë ushtrimin më të madh demokratik në botë, pas Indisë. Pavarësisht planeve të Britanisë për t'u larguar nga Bashkimi Evropian, Britania e Madhe do të marrë pjesë në zgjedhje pasi që ishte një nga kushtet kur është dakorduar shtyrja e BREXIT-it deri më 31 tetor 2019, pasi Britania e Madhe nuk arriti të largohet nga BE-ja deri më 29 mars 2019.

Votimi zhvillohet përgjatë tre ditëve, varësisht se ku zhvillohen zgjedhjet:

  • 23 maj: Holanda, Britania e Madhe;
  • 24 maj: Irlanda, Republika Çeke (e cila ka votim dy ditor, edhe më 25 maj);
  • 25 maj: Letonia, Malta, Sllovakia;
  • 26 maj: Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Lituania, Luksemburgu, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovenia, Spanja, Suedia.

Rezultatet përfundimtare do të shpallen të dielën, 26 maj, nga ora 23:00, sipas kohës së Brukselit.

Që nga viti 1979, çdo pesë vjet qytetarët e BE-së zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Evropian - institucion i zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë i cili mbron interesat e tyre në kuadër të BE-së. Zgjedhjet e Parlamentit Evropian janë të rëndësishme pasi që Parlamenti Evropian është i vetmi institucion i BE-së i zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë, pasi që Këshilli Evropian dhe Këshilli i BE-së legjitimohen në formë indirekte përmes zgjedhjeve nacionale.

Zgjedhjet e fundit evropiane në 2014 ishin zgjedhjet më të mëdha transnacionale të mbajtura ndonjëherë. Përcaktimi i numrit të deputetëve është i përcaktuar në kuadër të traktateve Evropiane. Përcaktimi bëhet në bazë të popullsisë, duke iu mundësuar shteteve më të vogla të fitojnë më shumë deputetë se nën sistemin e proporcionalitetit. Aktualisht, numri i Eurodeputetëve varion nga 6 deputetë për Maltën, Luksemburgun dhe Qipron deri më 96 deputetë për Gjermaninë.

Parlamenti Evropian ka tre role kryesore: legjislativ, mbikëqyrës dhe buxhetor. Kjo nënkupton miratimin e ligjeve të BE-së, me ndihmën e Këshillit të BE-së, kontrollin demokratik të të gjitha institucioneve të BE-së dhe miratimin e buxhetit të BE-së. Parlamenti është i vetmi trup legjislativ në botë, vendimet e të cilit kanë efekt të drejtpërdrejtë ligjor në vende të shumta sovrane.

Instituti EPIK ka vendosur të kthejë vëmendjen në zgjedhjet e Parlamentit Evropian kryesisht për dy arsye:

  1. Zgjedhjet kanë rëndësi të madhe për vetë BE-në. Në kohën kur forcat progresive dhe populliste janë në ballafaqim të drejtpërdrejtë në të gjitha kontinente, Parlamenti i ardhshëm Evropian përbën fushëbetejën e ardhshme strategjike të këtyre forcave kundërshtare. Zgjedhjet nuk do të përcaktojnë vetëm fatin e BE-së, por balancin e forcave globale.
  2. Arsyeja e dytë rrjedh natyrshëm nga ajo e para. Për shkak të rëndësisë së tyre, zgjedhjet do të kenë ndikim të madh në politikë e BE-së karshi Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës.

Në përmbledhje, studimi nxjerr shtatë konkluzione:

  1. Përkundër humbjes prej afro 6.5%, fronti pro-BE (EPP, S&D, ALDE+En Marche, GREENS-EFA) do të mbesin forca më e madhe politike e BE-së, me 63.2% të votës së përgjithshme.
  2. Sidoqoftë, për herë të parë që nga viti 1979, dy të mëdhenjtë, EPP dhe S&D, do të humbasin shumicën. Parashikojmë që ata do të fitojnë 42% të votës së përgjithshme, gjë që do shënojë rënie nga 54% në 2014.
  3. Pasi që "koalicioni i madh" EPP dhe S&D nuk do të ketë shumicën e Eurodeputetëve në Parlamentin Evropian, këto familje politike do të duhet të punojnë me grupet e tjera në Parlamentin e ardhshëm Evropian për të çuar përpara projektin evropian.
  4. Euroskeptikët (Aleanca Evropiane e Popujve dhe Kombeve (ish-ENF), ECR, GUE / NGL, 5STAR + BREXIT (ish-EFDD)), do të shënojnë rritje prej 2.7%, duke fituar 30.2% të votës së përgjithshme.
  5. Pasi që do të shënojnë rritje të madhe, ALDE+En Marche do të jenë "king-maker" i koalicionit EPP dhe S&D.
  6. Partitë e reja dhe të pa-rreshtuara do të shënojnë rritje prej 3.7%, me 6.5% të votës së përgjithshme.
  7. Në mandatin e institucioneve të reja të BE-së, 2019-2024, nuk duhet shpresuar për zgjerim të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor. Mund të pritet progres në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. E njëjta mund të ndodh në rastin e Serbisë, nën supozimin e arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Në rast të marrëveshjes, Kosova nga ana tjetër do të fitojë liberalizimin e vizave dhe, në një skenar optimist, do të fitojë statusin e kandidatit. Statusin e kandidatit mund të fitojë edhe Bosnja dhe Hercegovina.

PARTITË POLITIKE EVROPIANE

Partitë politike evropiane janë organizatat partiake politike që veprojnë në mënyrë transnacionale në Evropë dhe në institucionet e Bashkimit Evropian. Ato janë të rregulluara dhe financohen nga Bashkimi Evropian dhe përbëhen nga partitë nacionale. Që të njihet si një parti politike evropiane, partia duhet të përbëhet nga deputetë të zgjedhur në së paku një të katërtën e shteteve anëtare.

Që nga nëntori i vitit 2018, këto janë 10 parti politike evropiane të regjistruara:

Image

GRUPET POLITIKE NË PARLAMENTIN EVROPIAN

Pas zgjedhjeve, deputetët e Parlamentit Evropian formojnë grupe politike. Për të marrë statusin formal të një grupi politik, grupi duhet të përbëhet nga të paktën 25 deputetë, të zgjedhur në të paktën një të katërtën e vendeve anëtare (të paktën 7 vende anëtare). Deputetët mund t'i përkasin vetëm një grupi politik.

Grupet politike bashkojnë Eurodeputetët nga vende të ndryshme anëtare në bazë të lidhjeve të tyre politike, gjë që i jep deputetëve individual ndikim më të madh. Grupet gjithashtu mund të formohen më vonë gjatë mandatit të Parlamentit. Aktualisht në Parlamentin Evropian (2014-2019) ekzistojnë 8 grupe politike.