Rajon-Botë

Rajon-Botë

Stoltenbergu falënderon Shqipërinë për rolin e saj në KFOR

Publikuar më 02 Qershor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka vizituar Tiranën për të biseduar me udhëheqësit atje rreth angazhimeve të Shqipërisë në misionet paqeruajtëse në kuadër të NATO-s nëpër botë.

Duke mirëpritur 10 vjetorin e Shqipërisë në NATO, Stoltenbergu lavdëroi vendin për kontributin e saj me trupa në misionet e NATO-s në Kosovë e Afganistan, si dhe në Letoni.

"Që nga anëtarësimi, Shqipëria ka qenë aleat i përkushtuar dhe shumë i vlerësuar i NATO-s. Shqipëria ka forca që shërbejnë në Letoni. Dhe dua të shpreh ngushëllimet e mia për dy ushtarët shqiptarë që humbën jetën në aksidentin tragjik në Kampin Adazhi muajin e kaluar. Pranoni ngushëllimet e mia. Trupat tuaja po ndihmojnë edhe në ndërtimin e stabilitetit më të madh si pjesë e misionit të NATO-s, KFOR-it, në Kosovë. Dhe na ndihmoni të luftojmë terrorizmin ndërkombëtar duke kontribuuar me trupa në misionin tonë trajnues në Afganistan", deklaroi Stoltenberg, raporton Koha.net.

Ai tha se NATO-ja është po ashtu e përkushtuar ndaj sigurisë së Shqipërisë, duke potencuar se Aleanca po investon 51 milionë euro për të modernizuar bazën ajrore në Kuçovë, përfshirë edhe projekte në ruajtjen e karburanteve dhe në logjistikë.

"Kjo do të na ndihmojë të gjithëve të jemi më të efektshëm, më elastikë dhe më të sigurt. Dhe kjo tregon se si NATO-ja, përmes programeve të saja investuese, po investon në vendet e NATO-s siç është Shqipëria", theksoi ai.

Sipas tij, Shqipëria, përmes punës së madhe dhe përkushtimit, po tregon një shembull në promovimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Ai përmendi edhe rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE, duke potencuar se "është me rëndësi që ky progres po vazhdon".