Rajon-Botë

Rajon-Botë

Vuçiqi paralajmëron futjen e mallrave kontrabandë për serbët në veri

Publikuar më 30 Qershor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka porositur se serbët në Kosovë nuk do të jenë të uritur dhe ka shtuar se ka zgjidhje, ndërsa ka kritikuar politikanët serbë që i dalin në mbrojtje kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe të cilët punojnë kundër vendit të tyre.

Vuçiqi, në televizionin serb O2, i pyetur që të komentojë paralajmërimet se nga e hëna, dyqanet në veri të Kosovës nuk do të punojnë, dhe nëse pritet ndonjë katastrofë humanitare, ka thënë se nuk e di që dikush e ka paralajmëruar këtë.

"Kam lexuar e dëgjuar këto budallallëqe nga politikanë tanë që i dalin në mbrojtje Ramush Haradinajt duke thënë se katastrofa humanitare i përgjigjet Beogradit. Pse punoni kundër vendit tuaj? Kjo flet për qëllimet e tyre. Përse dilni në anën shqiptare?", pyeti ai, transmeton Koha.net.

Ai tha se ka një zgjidhje për dërgimin e produkteve nga Serbia në veri të Kosovës, por se nuk mund të flasë për këtë. Ai ka shtuar se po shtihet me armë ndaj atyre që bartin ushqim në Kosovë.

"Çka nëse e humbni kokën duke i dërguar dikujt mallra? Ndryshe nuk mund të bëhet, sepse ekziston taksa prej 100 për qind. Se mos mendojnë që do të japim sheqer, vaj e bukë me çmim të dyfishtë, e kjo të shkojë në arkën e Prishtinës? Ka zgjidhje. Do të gjendemi, por nuk do të flas për këtë. Gjithsesi, populli ynë nuk do të mbetet i uritur", tha Vuçiqi.

Presidenti serb ka aluduar se disa politikanë në Serbi po punojnë për Haradinajn.

Në pyetjen nëse shtyrja e takimit të Parisit nënkupton se në bisedime do të përfshihet më shumë SHBA-ja, Vuçiqi tha se Washingtoni veçse është i përfshirë dhe pyeti nëse duhet përfshirë edhe shtete tjera që e njohin Kosovën, e të përjashtohen ato që s'e njohin, transmeton Koha.net.

Vuçiqi tha se Serbia ka më shumë besim në presidentin aktual të SHBA-së, Donald Trump, sesa në administratat e kaluara, por se Washingtoni, sipas tij, nuk do të ndryshojë politikën karshi Kosovës.

I pyetur "çka pas Parisit", Vuçiqi tha se pas Parisit, presidenti francez, Emmanuel Macron, do të vizitojë Serbinë, dhe një ditë dikush duhet të flasë për atë që "veshët e butë" në Serbi nuk dëshirojnë të dëgjojnë, dhe tha se ai ka propozuar kompromis, duke iu referuar zgjidhjes së çështjes së Kosovës, por atë tha se e refuzuan edhe serbët edhe Prishtina edhe të gjithë të tjerët.

Ai tha gjithashtu se të gjithë shohin rezistencë serioze në veri të Kosovës dhe se autoritetet në Prishtinë duan ta thyejnë atë me çdo kusht dhe për të t'i përdorin politikanët serbë, dhe se agjencitë e huaja insistojnë në shkatërrimin e veriut.

Në idenë e presidentit të Partisë për Liri e Drejtësi, Dragan Gjillas, se duhet të miratohet një deklaratë për pajtim mes serbëve dhe shqiptarëve si dhe për krijim të bashkëpunimit në arsim, shëndetësi e sport, Vuçiqi tha se Serbia paguan për arsim e shëndetësi në veri të Kosovës dhe pyeti nëse Prishtina do të heq taksën pas asaj deklarate.

"Kanë të drejtë, unë jam dialoguesi më i keq, por Kosova s'e shpalli pavarësinë gjatë kohës sime, e as nuk e njohën Kosovën 100 shtete gjatë kohës sime, por 13 sosh e tërhoqën njohjen", tha Vuçiqi, transmeton Koha.net.

Duke folur për bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës, ai tha se kur ata kërkuan ekstradimin e liderit të Partisë Progresiste Serbe, Vojisllav Sheshel, ai është përgjigjur se nuk do ta bëjë këtë, sepse me Serbinë, siç tha ai, nuk mundet të luaj askush vetëm pse dikujt nuk i ka pëlqyer rezultati zgjedhor.

I pyetur në lidhje me marrëdhëniet e Serbisë me Malin e Zi, Vuçiqi tha se e ka lutur kryeministrin malazez, Dushko Markoviq, gjatë vizitës që ky i fundit i bëri Beogradit, që të marrë parasysh edhe interesat e Serbisë dhe të mos e trajtojë Kosovën më mirë se Serbinë, por ai këtë s'e ka respektuar.

"Pavarësisht të gjithave, ne duhet të kemi marrëdhënie normale me Malin e Zi, sepse ajo është në interes të serbëve që jetojnë atje. Duhet të shohim se si t'u ndihmojmë serbëve atje, si t'i ndihmojmë institucionet tona kulturore dhe të ndërtojmë kopshte fëmijësh, që këto të na i lejojë Mali i Zi", deklaroi presidenti serb, Vuçiq.

Vuçiqi tha se do të dëshironte që Serbia të ketë pikëkalime të integruara kufitare me Maqedoninë Veriore, me Malin e Zi dhe me Bosnje e Hercegovinën.