Rajon-Botë

Rajon-Botë

Shqipëria voton në kushte jo të zakonshme

Publikuar më 30 Qershor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Në Shqipëri, në 61 bashki, qytetarët kanë filluar të votojnë për kryebashkiakët e tyre në zgjedhjet lokale, megjithëse këto zgjedhje po mbahen pa partitë kryesore opozitare në vend.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se pjesëmarrja në votime në të gjithë Shqipërinë është 12% deri rreth orës 11:00.

Këto votime po mbahen në kushte jo të zakonshme, me masa të larta të sigurisë nga forcat policore dhe me ndasi të thellë mes të gjithë akterëve politikë të Shqipërisë, duke e vendosur pikëpyetje vlefshmërinë e tyre.

Qytetarët e Shqipërisë duket se janë vënë mes vendimit për të zgjedhur kryetarët e bashkive, apo për të zgjedhur të bojkotojnë totalisht këto zgjedhje.

Ambasada amerikane: Zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri të zhvillohen qetë

?Opozita kishte deklaruar se nuk do të lejonte zhvillimin e zgjedhjeve dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që "të mos marrin pjesë në një proces farsë".

Krerët opozitarë kanë thënë se këto nuk janë zgjedhje, por vetëm votim për një parti. Megjithatë, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ka bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga dhuna.

"Ndryshe nga Edi Rama që, për pushtetin e tij personal, është i gatshëm t'i çojë nesër shqiptarët në vëllavrasje, unë kam përgjegjësinë për jetën e çdo demokrati, çdo socialisti, çdo qytetari shqiptar. Ndaj për nesër unë kam vetëm një thirrje: Mos bini pre e instinktit të dhunës! Mos bini pre e provokimeve për dhunë", ka shkruar Basha një ditë më herët.

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, i cili ka anuluar zgjedhjet e sotme, ka caktuar një datë të re të zgjedhjeve lokale në vend. Ai bëri të ditur se ka dekretuar 13 tetorin si ditë kur qytetarët e Shqipërisë do të votojnë për kryetarët e bashkive të tyre.

Megjithatë, Partia Socialiste ka shpërfillur vendimin e Presidentit dhe e ka quajtur atë jokushtetues, duke vazhduar fushatën zgjedhore e vetme. Përgjatë krejt fushatës, PS-ja u prit me protesta nga qytetarët, të cilët edhe dogjën materialet nëpër disa qendra të votimeve në Shqipëri.

Presidenti, një ditë më herë ka bërë thirrje për qetësi për ditën e diele. Presidenti Meta kërkoi nga qytetarët "vetëpërmbajtje dhe sjellje civile e demokratike" gjatë ditës së nesërme.

"Shmangni provokimet që mund t'ju çojnë drejt dhunës, në mënyrë që dallimet politike të mos cenojnë bashkëjetesën qytetare në çdo familje, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo qytet dhe në të gjithë shoqërinë tonë", ka shkruar Meta në Facebook.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama duke iu referuar zgjedhjeve të 30 qershorit, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se ai dhe partia e tij janë të gatshëm për dialog me opozitën, por se "nuk negociojnë demokracinë".

"Unë kam insistuar për dialog, gjithmonë. Kam bërë të gjitha përpjekjet për dialog. E vetmja gjë që nuk mund të negociohet është demokracia dhe patjetër nuk mund të negociohen edhe afatet kur populli duhet të marrë fjalën, këto janë të panegociueshme, gjithçka tjetër është lehtësisht e negociueshme", tha Rama.

Që nga muaji shkurt, opozita organizoi vazhdimisht protesta në Tiranë me kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama, duke e konsideruar atë të papranueshëm që të jetë në krye të Qeverisë shqiptare në kohën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Si u zhyt Shqipëria në krizë?

Kërkesat dhe protestat e opozitës për largimin e kryeministrit Edi Rama, janë intensifikuar edhe pas publikimit të përgjimeve telefonike nga gazeta gjermane "BILD" ku dëgjohen politikanë socialistë dhe ish-ministra të Qeverisë Rama që diskutojnë për rezultate maksimale të votimeve, dhe dyshohen të jenë të përfshirë në manipulim të procesit zgjedhor.

Dita e sotme njihet si datë zyrtare e zgjedhjeve edhe nga bashkësia ndërkombëtare dhe ambasadat me seli në Tiranë. Ata, po ashtu kanë bërë thirrje për lejim të qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe për mbarëvajtje të këtij procesi pa tensione dhe qetësi. (REL)