Rajon-Botë

Rajon-Botë

Topalli: PD-ja nga sot s'ka asnjë pushtet, kjo është vrasja më mizore që i ka bërë kreu i saj

Publikuar më 01 Korrik 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli deklaroi sot se "pas rreth 3 dekadash, PD nuk ka më asnjë pushtet, PD praktikisht nuk është më dhe kjo është vrasja më mizore, që kreu i saj mund t'i bënte demokratëve".

"Partia Demokratike nuk është më as në Parlament dhe nuk ka më asnjë bashki. Me urdhrin për djegien e mandateve Lulzim Basha e nxori atë me dhunë, jashtë parlamentit duke tradhtuar e fyer, mbi 400 mijë demokratë, që votuan siglën e kësaj force politike. Me këtë, që është akti më i papërgjegjshëm i historisë së demokracisë, ai praktikisht i ftoi shqiptarët në luftë vëllavrasëse", tha Topalli.

Ajo tha se "pas kësaj, Basha premtoi se do krijonte qeverinë teknike dhe do rrëzonte Edi Ramën".

"Sot, me mos-hyrjen në zgjedhje, jo vetëm që nuk arriti asnjërën, por i dhuroi Ramës të gjitha bashkitë, të gjitha pushtetet. Nga sot çdo gjë ka ndryshuar. PD është jashtë çdo pushteti politik dhe lokal, ndërkohe që Edi Rama ka marrë çdo gjë. Demokratët e fundit të punësuar në bashkitë e djathta do jenë në mëshirën e Edi Ramës", tha ajo.

Sipas Topallit, "ky është dëmi më kriminal ndaj vendit, që Lulzim Basha kreu për karrigen e hallet e tij".

"Dhe nuk mbaron këtu. Ai tradhtoi shpirtin perëndimor të forcës politike, që lindi për të hapur dhe për të integruar vendin në Europë e NATO. Nuk po ndalem këtu të komentoj për deklaratën e tij të para pak minutash, kur këndonte fitore, mbi kufomën e një force politike që, një kohë i dha jetë e ëndërr një kombi për 3 dekada, e që qëndroi në këmbë mbi sakrificën e jetën e idealistëve të paepur në dekadat e shkuara. Nga sot, asgjë nuk është më si më parë", tha Topalli.

"Pasi ka marrë faturën e dhunës, pasi humbi mbështetjen e gjithë botës, pasi kreu vetëvrasjen më kriminale që mund të imagjinohej... dhe desh ta çonte vendin në përplasje..; Pasi humbi "revolucionin", dhe dështoi të arrinte qeverinë teknike, pasi dështoi të reëzonte Ramën dhe pasi la PD pa asnjë pushtet politik...Ti Lul kësaj rradhe nuk mund të këndosh më mbi trupin që jep shpirt të Partisë sonë. Ti ishe eksperimenti më i pamerituar për demokratët dhe për vendin", tha Topalli.

Partia Demokratike ka kaluar edhe një herë tjetër një moment tragjik, tha Topalli, duke shtuar se "dhe demokratët e vërtetë, përmes përpjekjeve herkuliane ia dolën ta ngrenë nga hiri dhe ta sjellin në pushtet".

"Edhe sot Lul, njerëz të ndershëm, të rinj e të reja, idealistë e intelektualë, patriotë, të pakorruptuar e të pashitur do ta shpëtojnë nga pengmarrja e tradhëtia, do ta ngrenë sërish në piedestalin që i takon, për t'i dal zot vendit, interesit publik e njerëzve që i le pa shpresë e pa perspektivë. Njerëzit e lirë, nuk do lejojnë më, që as ti dhe as 3-4 shokët tuaj në pushtet dhe "opozitë" të mbajnë në dëshpërimin e dhimbjes e të pamundësisë, një popull që boll ka vuajtur në shekuj, e sot. Është koha për të ringritur Partinë Demokratike nga e para. Është koha për të larguar këtë klasë politike. Demokratët, shqiptarët do ia dalin", tha ajo.