Rajon-Botë

Rajon-Botë

Grindja SHBA-Turqi për shkak të sistemit rus të raketave

Publikuar më 19 Korrik 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Prej muajsh SHBA dhe Turqia grinden për shkak të sistemit rus të mbrojtjes nga raketat. Meqenëse Turqia tani ka marrë pjesën e parë të këtij furnizimi rus, SHBA ka reaguar me masa konkrete.

SHBA reagoi seriozisht pasi Turqia bleu një sistem rus të mbrojtjes nga raketat duke e përjashtuar anëtaren e NATO-s nga programi i avionëve luftarakë F-35, njofton agjencia e lajmeve DPA. Vendimi i Turqisë për blerjen e sistemit rus e bën të pamundur pjesëmarrjen e saj në programin F-35, u bë e ditur në një prononcim të Shtëpisë së Bardhë të mërkurën (17.07). Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes të SHBA-së, Turqia tani nuk mund t'i blejë më këta avionë nga programi F-35. Përjashtimi i Ankarasë nga ky program do të përmbyllet në mars 2020. Shtëpia e Bardhë deklaroi, se avionët F-35 nuk mund të përdorën krahas instrumentit rus të spiunazhit, që përdoren për të mësuar mbi aftësitë e avionëve.

Blerja e sistemit S-400 i minon detyrimet e anëtarëve të NATO-s kundrejt njeri-tjetrit, për të qëndruar larg sistemeve ruse. Një zëdhënëse nga selia e qeverisë deklaroi, se SHBA vazhdojnë ta vlerësojnë shumë raportin strategjik të Turqisë. Blerja e sistemit rus të mbrojtjes nga raketat prej muajsh ka ngjallur grindje mes SHBA dhe Turqisë. Uashingtoni druan, sipas të dhënave të veta, se Rusia përmes radarit të sistemit të këtij armatimi mund të mbledhë të dhëna për aftësitë e avionëve luftarakë të SHBA-së F-35.

Turqia, një partnere në konstruktimin e katër avionëve, në fakt duhet të merrte 100 avionë të tillë. Ministria e Mbrojtjes së SHBA-së në qershor nisi procedurën e përjashtimit të Turqisë nga ky projekt. Përfaqësues të Uashingtonit të mërkurën (17.07) deklaruan, se përjashtimi i Turqisë synon mbrojtjen e sistemit të avionëve luftarakë F-35. Sekretarja e shtetit Ellen Lord siguroi, se SHBA do ta plotësojë boshllëkun që krijohet dhe se nuk do të ketë vonesa në furnizimin me avionët F-35 në vendet, që ndërkohë i kanë porositur ato.

SHBA do të paguajnë njëherësh 500 dhe 600 milionë dollarë për të kompensuar ndryshimet në procesin e prodhimit. Lord nuk donte të prononcohej, nëse qeveria turke sërish mund të bëhej pjesë e programit, nëse heq dorë prej sistemit rus. Ajo tha se vendimi për përjashtimin e saj është marrë bashkërisht me të tjerë partnerë të projektit. Në projekt marrin pjesë ndër të tjerë Britania e Madhe, Kanadaja dhe Australia.

Furnizimi në Turqi me S-400 nga Rusia ka nisur të premten (12.07). Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, një ditë më parë deklaroi, se ka mirëkuptim për vendimin e Turqisë për të blerë sistemin rus. Turqia është „detyruar" ta ndërmarrë këtë hap, sepse qeveria demokrate e mëparshme në Uashington nuk i ka shitur asaj sistemin amerikan Patriot.

Kësisoj presidenti republikan solli argumentin e qeverisë turke, e cila thotë, se në vitet e shkuara ka aplikuar disa herë për të blerë raketat Patriot, por nuk ia kanë dhënë. Por Pententagoni theksoi se në të shkuarën Turqisë i janë bërë disa oferta për blerjen e sistemit Patriot.