Rajon-Botë

Rajon-Botë

Presidentja kroate mohon se e quajti Bosnjën vend islamik

Publikuar më 05 Gusht 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Presidentja kroate, Kolinda Grabar Kitaroviq, ka demantuar një shkrim në gazetën izraelite, "Jerusalem Post", në të cilën shkruante se gjatë takimit të saj me presidentin izraelit, kishte thënë se shteti fqinj kroat, Bosnja, kontrollohet nga militantët islamikë dhe se në disa fusha është nën kontrollin e njerëzve që kanë lidhje me Iranin dhe organizata terroriste.

"Absolutisht jo! E përsëris, nuk e kam thënë këtë. Me presidentin fola rreth kontekstit të saj që gjithmonë e them për Bosnjën. Edhe në konferencën për shtyp me presidentin izraelit sikurse edhe me kryeministrin, kam thënë se do të doja të shihja të gjitha shtetet tona fqinje, anëtare të BE-së", u tha presidentja gazetarëve kroatë që ishin me të në Izrael.

"Nuk e di se nga doli ajo deklaratë meqë nuk fola me asnjë gazetar, nuk dhashë asnjë intervistë dhe nuk bëra ndonjë deklaratë tjetër përpos atyre që keni dëgjuar", shtoi ajo.

Por, anëtarët kroatë e boshnjakë të presidencës së Bosnjës, Zheljko Komshiq dhe Shefik Xhaferoviq, të martën kishin sulmuar ashpër Grabar Kitaroviqin, lidhur me këto deklarime të supozuara.

Komshiqi tha se vetë presidentja është e paqëndrueshme derisa Xhaferoviqi e akuzoi për përsëritjen e gënjeshtrave dhe përhapje të ksenofobisë, duke shtuar se Kroacia ka politikë fashiste ndaj Bosnjës.

Presidentja ndërkaq u pyet nga gazetarët edhe lidhur me Iranin dhe organizatat terroriste që operojnë në Bosnje, derisa ka thënë se nuk e ka përmendur Iranin në konferencën për shtyp në Izrael.

Në anën tjetër, ka reaguar edhe Presidenca kroate duke thënë se raportimet e mediave, duhet verifikuar, para se të reagohej.

Grabar Kitaroviq, të mërkurën përfundoi vizitën e saj në Izrael, duke u takuar me drejtorin gjeneral të Drejtorisë izraelite për kibernetikë kombëtare.