Rajon-Botë

Rajon-Botë

Kryetarja e Hong Kongut kërkon dialog me protestuesit

Publikuar më 20 Gusht 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, ka thënë se do ta hartojë menjëherë një platformë për dialog me qytetarë dhe do t'i shqyrtojë ankesat ndaj policisë, pas një fundjave me protesta paqësore. Ajo shpreson se kjo qetësi do të jetë pikë kthese në kryengritjen e gjatë.

"Puna do të fillojë menjëherë për ndërtimin e një platforme për dialogun. Shpresojmë se ky dialog mund të ndërtohet mbi bazën e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë për ta gjetur një zgjidhje për Hong Kongun", tha ajo.

Lam shtoi se kjo platformë do të jetë e hapur dhe e drejtpërdrejtë dhe se qeveria do të kontaktojë me njerëzit e të gjitha fushave dhe me pikëpamje të ndryshme politike. "Shpresoj sinqerisht se ky është fillimi i kthesës së shoqërisë në qetësi dhe largim nga dhuna", tha Lam.

Rreth 1.7 milionë njerëz morën pjesë në protestën paqësore të së dielës në javën e njëmbëdhjetë të protestave masive, të cilat shpesh kanë përfunduar me përplasje të dhunshme mes policisë dhe protestuesve.

Tensionet në këtë rajon u rritën javën e kaluar kur u mbyll aeroporti i Hong Kongut për shkak të përleshjeve të dhunshme mes protestuesve dhe policisë.

Policia e Hong Kongut ka përdorur gaz lotsjellës dhe plumba gome për ta shpërndarë grumbullin e protestuesve në protestat e kaluara, por të dielën e kaluar pati prani të vogël të policisë dhe asnjë person nuk është arrestuar, shkruan "The Guardian", transmeton Gazeta Express.