Rajon-Botë

Rajon-Botë

Vuçiq: Dialogu me Prishtinën mund të vazhdojë në dhjetor

Publikuar më 21 Gusht 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se në rastin më të mirë negociatat me Prishtinën do të vazhdojnë në muajin dhjetor.

"Vështirë se mund të ketë vazhdim të dialogut para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, të cilat besoj se do të zhvillohen më 6 tetor. Kjo do të thotë se në rastin më të mirë, në fillim të dhjetorit mund të vazhdojë dialogu, por para kësaj, e rëndësishme është të bisedohet për heqjen e taksës", ka thënë Vuçiq për televizionin serb, Prva.

Presidenti serb tha se "status quoja" është e pamundur, dhe se është e rëndësishme të ruhet paqja, pasi siç tha, "një pushkë nëse shkrepet atëherë askush nuk mund të ndalë bubullimën e topave, dhe kjo askujt nuk i duhet".

Deklaratat e Vuçiqit bëhen pas takimit që ka realizuar në Nju Jork me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Pas takimit të zhvilluar të martën në mbrëmje, Vuçiq tha se ka kërkuar nga sekretari amerikan, që SHBA-ja të shtojë presion ndaj Kosovës për heqjen e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, të vendosur në nëntor të vitit të kaluar.

"Ishte një takim shumë i rëndësishëm dhe informues për mua. Më duket se unë e kuptoj më mirë dhe më shumë pozicionin e SHBA-së, ankthet dhe frikën e tyre. Por, siç më duket mua, edhe ata e kuptojnë frikën dhe ankthet tona shumë më mirë", tha Vuçiq.

Ai gjithashtu tha se SHBA-ja nuk e ndryshon qëndrimin për pavarësinë e Kosovës, por siç tha, "ata po i hapin disa dyerë dhe e kuptojnë nevojën dhe domosdoshmërisë e arritjes së një marrëveshjeje në të cilën Serbia nuk do të degradohej dhe interesat e Serbisë nuk do të prisheshin".

Ndërkohë pas takimit që kishte me presidentin Vuçiq, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo deklaroi përmes një postimi në Twitter, se normalizimi i raporteve të Serbisë me Kosovën, do ta forcojë stabilitetin dhe prosperitetin e Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe komunitetit transatlantik.

Ndërkohë, sipas një komunikate të lëshuar nga Departamenti i Shtetit në SHBA, Pompeo gjatë takimit ka inkurajuar Serbinë që të përqëndrohet në procesin e integrimit në BE, duke përshpejtuar reformat e brendshme, dhe rinisjen e negociatave me Kosovën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të përqendruar në njohjen e ndërsjellë.

"Sekretari Sekretari përsëriti që të dyja palët duhet të shmangin provokimet që pengojnë procesin e normalizimit dhe të angazhohen me frymën e kompromisit dhe fleksibilitetit të nevojshëm për të siguruar një marrëveshje dhe për të zhbllokuar potencialin e të dyja vendeve", thuhet në komunikatë.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuara nga Bashkimi Evropian janë ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar, për shkak të tarifës ndaj mallrave serbe të cilën e ka vendosur Qeveria e Kosovës.

Masa, sipas zyrtarëve në Prishtinë, është ndërmarrë për shkak të fushatës kundër shtetësisë së Kosovës, që e kanë zhvilluar zyrtarët serbë.