Rajon-Botë

Rajon-Botë

Greqia harton plan emergjent për valën e re të imigrantëve

Publikuar më 02 Shtator 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Qeveria greke ka njoftuar se do të ndërmarrë masa emergjente për ta trajtuar numrin e madh të imigrantëve që po vijnë nga Turqia. Autoritetet frikësohen se në brigjet greke mund të përsëritet kriza e vitit 2015.

Pas arritjes së barkave me plot burra, gra dhe fëmijë në ishujt e Egjeut, qeveria e re e qendrës së djathtë është zotuar se do t'i shtojë patrullat përgjatë kufirit detar, i cili është bërë cak i trafikuesve të imigrantëve.

"Po shohim valë më të mëdha të imigrantëve që po transportohen nga trafikuesit duke përdorur metoda të reja dhe barka më të shpejta", tha ministri grek për mbrojtje civile, Michalis Chrysochoidis, pas njoftimit për marrjen e masave gjatë fundjavës.

"Nëse kjo situatë vazhdon, do të kemi përsëritje të 2015-ës. Do të marrim masa për t'i mbrojtur kufijtë tanë dhe do të jemi shumë më të rreptë dhe më të shpejtë në zbatimin e tyre", shtoi ministri.

Ai gjithashtu tha se qeveria greke do të kërkojë ndihmë nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian për vendosjen e pikave patrulluese në zonën kufitare me Turqinë.

Duket se rritja e madhe e numrit të imigrantëve i ka zënë në befasi zyrtarët. Vetëm javën e kaluar, rreth 650 imigrantë, përfshirë 240 fëmijë, arritën brenda disa orësh në ishullin Lesbos, shkruan "The Guardian", transmeton Gazeta Express.