Rajon-Botë

Rajon-Botë

Presidenti i Brazilit s’merr pjesë në samitin për zjarret në Amazonë

Publikuar më 03 Shtator 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, nuk do të marrë pjesë në një samit të planifikuar për gjendjen e zjarreve në Amazonë. Një ndihmës i tij ka thënë se presidenti është duke u përgatitur për t'iu nënshtruar një operacioni.

Kjo do të jetë ndërhyrja e katërt kirurgjike në trupin e Bolsonaros pasi ishte therë me thikë gjatë fushatës presidenciale të vitit 2018.

Një zëdhënës i presidencës tha se ai mund ta dërgojë një përfaqësues në këtë samit ose të kërkojë që samiti të shtyhet për një datë tjetër.

Më shumë se 80 mijë zjarre kanë shpërthyer në pyjet e Amazonës këtë vit.

Bolsonaro ka qenë në qendër të kritikave të brendshme dhe ndërkombëtare për shkak të dështimit për ta mbrojtur Amazonën nga zjarret. Ky rajon cilësohet si shumë i rëndësishëm për uljen e sasisë së karbonit në atmosferën e planetit tonë.

Aktivistët për mbrojtjen e mjedisit thonë se fajtore për rritjen prej 77 për qind të zjarreve në Amazonë janë pikërisht politikat e presidentit Brazilian.

Presidenti pritet t'i nënshtrohet operacionit të dielën, por duhet ta fillojë një dietë vetëm me ushqim të lëngët të premten, ditën kur mbahet samiti rajonal në Kolumbi, shkruan "BBC", transmeton Gazeta Express.