Rajon-Botë

Rajon-Botë

Trafikim makinash nga Maqedonia e Veriut drejt Shqipërisë, në pranga 53-vjeçari

Publikuar më 04 Shtator 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Një 53-vjeçar është vënë në prangat e policisë së Elbasanit me akuzën e trafikimit të automjeteve nëpërmjet kufirit të gjelbër nga Maqedonia e Veriut në Shqipëri.

Dyshohet se i arrestuari me iniciale Xh. B., lindur në Përrenjas, trafikonte mjetet në bashkëpunim një maqedonas me iniciale A. R., banues në Strugë, i cili është shpallur në kërkim dhe me disa shtetas të tjerë.

"Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Xh. B., 53 vjeç, lindur në Përrenjas, Librazhd dhe A. R., banues në Strugë, Maqedoni e Veriut, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë kanë organizuar trafikimin e disa automjeteve nëpërmjet kufirit të gjelbër jashtë pikave të kalimit kufitar, nga shteti i Maqedonisë së Veriut drejt Shqipërisë,"-raporton policia.

Gjatë operacionit "Rrajca 2019" u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një autoveturë e markës Volkswagen Passat, me targa të shtetit të Maqedonisë së Veriut, në pronësi të një shtetasi maqedonas. Automjeti është vjedhur në Maqedoninë e Veriut dhe me pas është trafikuar në Shqipëri.

Ndërkohë uniformat blu raportojnë se: "Po vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe sekuestrimin e disa automjeteve të trafikuara nga ky grup personash, për të cilët nuk jepen të dhëna për arsye hetimi."

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprën penale "Trafikim i mjeteve motorike".