Rajon-Botë

Rajon-Botë

Osmani: Do e dërgojmë PDK-në në opozitë të gjatë

Publikuar më 30 Shtator 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Kandidatja e LDK-së, për kryeministre, Vjosa Osman tha të dielën gjatë tubimit elektoral në Vushtrri se kolonel Ahmet Krasniqi ka qenë komandant i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) dhe ushtar i Ibrahim Rugovës, të cilin kundërshtarët e sotëm politikë e kanë refuzuar në mënyrë të vazhdueshme.

"Ahmet Krasniqi ka qenë komandant i FARK-ut, të cilin kundërshtarët e mi politikë e kanë kundërshtuar dhe nuk e kanë votuar asnjëherë në Parlament. Ahmet Krasniqi ka qenë ushtar i Ibrahim Rugovës. Ai ishte i tërë popullit dhe ne jemi të vetmit që e vazhdojmë rrugën e tij", tha Osmani.

Ajo ju tha simpatizantëve të LDK-së se me të si kryeministre Kosova do të jetë një dhe e pandashme.

"LDK ashtu siç ndërtoi themelet e këtij shteti, ashtu do të mbrojë këtë shtet në kufijtë ekzistues. Më 6 tetor me mbështetje qytetare ne do t'i dërgojmë në opozitë të gjatë ata që e kanë krijuar modelin e zhvatjes dhe nëpërkëmbjes së shtetit, pra PDK-në. Do t'i dërgojmë në ata në opozitë njëherë e mirë duke ua kthyer qytetarëve të Kosovës shpresën për ditë më të mira në këtë shtet", shtoi Osmani.

Kandidatja për kryeministre tha se, LDK-ja është parti që bazën e ka tek lidhja me qytetarët.

"Ashtu siç e keni rikthye LDK-në në pushtet në Vushtrri, kur të tjerët nuk e besonin një gjë të tillë, ashtu do ta kthejmë LDK-në në pushtet edhe në qeveri. Dëshmojani të gjithëve më 6 tetor që fitorja jonë, jo vetëm që është e mundur, por do të jetë aq e thellë saqë nuk do t'i lusim tjerët që të vijnë me neve në qeveri. LDK angazhohet për shtet të pavarur e sovran dhe në miqësi me SHBA-të. Vushtrria nuk i do të tillët që Amerika thoshte se ua kanë ngulur thikën pas shpinë. Me mua si kryeministre Kosova nuk do ta humbasë asnjë centimetër të territorit të Kosovës dhe askush nuk mund të formojë shtet mbi shtetin e Kosovës", tha Osmani.

Nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri, ka thënë në Vushtrri, se LDK-ja e ka ndërruar standardin e mbajtjes së tubimeve, sepse ka dalë nga sallat në sheshet e qyteteve për shkak të masivitetit të pjesëmarrjes.

"Qytetarët e Vushtrrisë dhe gjithë Kosovës po kthejnë besimin e madh te LDK-ja dhe kandidatja jonë Vjosa Osmani. Ka ardhur koha që LDK-së me ja dhanë forcën e partisë së parë dhe kryeministres tonë Vjosa Osmanit", tha nënkryetari i LDK-së.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se ky qytet, i cili identifikohet me Hasan Prishtinën dhe Ahmet Krasniqit, sikur dy vite më parë, edhe më 6 tetor do ta bëjë ndryshimin e madh në nivel të Kosovës, duke i fituar zgjedhjet dhe duke e dërguar përfundimisht PDK-në në opozitë.