Rajon-Botë

Rajon-Botë

Partia Liberale e Trudeau-t i fitoi zgjedhjet në Kanada

Publikuar më 22 Tetor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Sipas rezultateve preliminare, Partia Liberale e kryeministrit kanadez Justin Trudeau i ka fituar zgjedhjet në vendin më të madh të Amerikës Veriore. Sidoqoftë, ende nuk është plotësisht e qartë nëse kjo parti i ka siguruar apo jo shumicën e votave.

Qendrat e votimit në mbarë Kanadanë janë mbyllur në orën 22 sipas kohës lokale dhe procesi i numërimit të votave është në vazhdim e sipër.

Në bazë të rezultateve që po përditësohen vazhdimisht, Partia Liberale i ka siguruar 148 ulëse në kuvendin me 338 anëtarë. Pas saj renditen Partia Konservatore me 119 ulëse, Blloku i Kuebekut me 32 ulëse, Demokratët e Rinj me 23 ulëse dhe Partia e Gjelbër me vetëm 3 ulëse.

"Faleminderit Kanada për dhënien e besimit ndaj ëndrrës sonë dhe ndaj nesh për ta dërguar vendin në drejtimin e duhur. Pavarësisht mënyrës se si i keni ndarë votat, ekipi ynë do të punojë shumë për të gjithë kanadezët", shkroi Trudeau në Twitter.

Nëse nuk ka ndryshim të madh të rezultatit të tanishëm, partia e kryeministrit nuk do ta ketë shumicën në kuvend dhe pritet të sfidohet seriozisht në organin legjislativ.

Fitoren kryeministrit kanadez tashmë ia ka uruar presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ndonëse marrëdhëniet mes dy liderëve kohëve të fundit nuk ishin shumë të mira, shkruan "The Guardian", transmeton Gazeta Express.