Rajon-Botë

Rajon-Botë

Kroacia shënon 28 vjetorin e masakrës së Vukovarit, vendit të betejës së ashpër ndaj serbëve

Publikuar më 19 Nëntor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Viktimat e masakrës së Vukovarit të vitit 1991 u përkujtuan në përvjetorin e 28-të, raporton Anadolu.

Vukovari, një qytet që ndodhet në afërsi të Serbisë përgjatë lumit Danub, ishte skenë e luftimeve të ashpra pas shkëputjes së Kroacisë nga Jugosllavia e atëhershme.

Ushtarët e Jugosllavisë bashkë me forcat paramilitare serbe e kanë mbajtur qytetin e Vukovarit nën rrethim për 87 ditë. Në këto ditë, në qytet ranë më shumë se 11.000 bomba dhe qyteti kaloi në duart e forcave serbe më 18 nëntor të vitit 1991.

Mijëra qytetarë dhe zyrtarë kroatë morrën pjesë në ceremoninë përkujtimore në Vukovar.

Në mesin e tyre ishin edhe presidentja Kolinda Grabar Kitaroviç, kretari i Parlamentit, Gordan Jandrokoviç dhe kryeministri Andrej Plenkoviç, të cilët morrën pjesë në ceremoninë para spitalit ku u trajtuan të plagosurit, i cili është simbol i masakrës së Vukovarit.

Në fjalimin e tij, Jandrokoviç tha se në Vukovar kishte edhe epikë heroike, edhe tragjike. Ai theksoi se ata që u vranë në Vukovar, kanë sakrifikuar jetët e tyre për të mbajtur gjallë Kroacinë sot.

Kryeministri Plenkoviç tha se Vukovari meriton një respekt të veçantë.

Gjatë ceremonisë, u mbajt një marsh përkujtimor nga spitali deri te varrezat përkujtimore, ku u varrosën viktimat e masakrës. Të afërmit e viktimave dhe qytetarët vendosën lule te varrezat.

Është përllogaritur se mbi 3.000 persona, kryesisht kroatë, u vranë dhe mijëra të tjerë u mbajtën nëpër kampe.

Gjatë rrethimit, qyteti praktikisht u rrafshua.

Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish Jugosllavinë (ICTY) për masakrën ndaj civilëve të qytetit ka dënuar me burg zyrtarët e ushtrisë së ish Jugosllavisë Mile Mrkshiç (10 vite) dhe Veselin Sljivançanin (20 vite).

Pas luftës, Vukovari u vendos nën administrim të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe u riintegrua si pjesë e Kroacisë në vitin 1998.

Pushtimi serb, i cili filloi pas rrethimit, zgjati deri më 15 janar të vitit 1998, përderisa u kryen shumë krime të luftës kundër të plagosurve dhe të punësuarve në spitalin e Vukovarit.

Sipas spitalit të Vukovarit, të paktën 1.624 njerëz u vranë, rreth 7.000 të tjerë u dërguan në kampe përqendrimi, ndërsa rreth 22.000 banorë jo-serbë, kryesisht kroatë, u dëbuan nga qyteti.

Kufomat e rreth 500 personave të vrarë në Vukovar nuk janë gjetur akoma.