Rajon-Botë

Rajon-Botë

Shqipëria shënoi 107 vjet shtetësi nën ankthin e tërmeteve

Publikuar më 29 Nëntor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Së paku 45 persona kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë plagosur nga tërmetet që e goditën Shqipërinë në dy ditët e shkuara, përderisa bilanci i viktimave vetëm sa shkon e rëndohet.

Qindra persona kanë kaluar natën mes rrënojave, nëpër tenda apo vetura, pas tërmetit me magnitudë 6.4, njëherësh më i fuqishmi në dekada që goditi Shqipërinë në orët e para të 26 nëntorit, rreth 30 kilometra në veriperëndim të Tiranës.

Një tërmet i fuqishëm 4,9 shkallësh të Rihterit goditi Shqipërinë në orën 11:25 të ditës së enjte. Epiqendra ishte në Detin Adriatik, 48 kilometra në veriperëndim të Tiranës, me thellësi prej vetëm 2 kilometrash.

Gjithashtu, në orën 11:52, një tërmet tjetër 4 ballësh po ashtu me epiqendër në Adriatik, goditi Shqipërinë. Ky tërmet ishte 33 kilometra në veriperëndim të Tiranës me thellësi prej 10 kilometrash.

Ekipet e shpëtimit nga më shumë se 10 shtete u janë bashkuar ekipeve të Shqipërisë më 27 nëntor, për të kërkuar personat që mund të kenë mbetur nën rrënoja. Shumica e viktimave janë shkaktuar në qytetin e Durrësit dhe qytezën Thumanë.

Numri më i madh i viktimave është shënuar në Thumanë, ku u rrëzuan dy pallate dhe mbetën të vdekur 23 persona. Gjashtëmbëdhjetë persona tjerë kanë humbur jetën në disa zona të Durrësit, në një pallat 6 katësh të shembur në qytet, në dy hotele të rrënuara në zonën e Plazhit si dhe një shtëpi në zonën e ish-Kënetës, ku jetonin tre vëllezër dhe familjet e tyre. Mes viktimave deri tani janë 4 fëmijë, nga 3 deri në 8 vjeç.

Shqipëria të enjten shënoi 107-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, ditë kjo që e gjeti vendin në panik dhe pa qetësi.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se kjo ditë e gjeti vendin në zi dhe i ftoi qytetarët të qëndrojnë të bashkuar për të ndihmuar kthimin në normalitet të familjeve të prekura nga tërmeti.

"Në këtë ditë që është më e rëndësishmja për shtetin dhe kombin tonë, por që na gjeti në zi dhe në betejë me pasojat e tmerrshme të një tërmeti të pamëshirshëm, ju ftoj të angazhohemi për të nderuar Flamurin tonë Kombëtar dhe të qëndrojmë të bashkuar deri në rikthimin e normalitetit të plotë të jetës për të gjithë familjet shqiptare dhe fëmijët e tyre", tha Meta.

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Facebook ka thënë se Dita e Flamurit e gjeti Shqipërinë në errësirë.

"Hyri Dita e Flamurit Kuqezi në errësirën që na rrethon përkohësisht, përpara daljes së diellit. Zoti e bekoftë Shqipërinë, shqiptarët pa asnjë dallim, kudo që janë e pavarësisht bindjeve që kanë dhe flamurin më të bukur në botë sigurisht", shkruan Rama.

Edhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka thënë se me rastin e 107-vjetorit të pavarësisë "mendimet dhe lutjet e shqiptarëve" janë me të lënduarit dhe familjet e viktimave.

"Mëngjesin e të martës, ndërkohë që shqiptarët përgatiteshin për të përkujtuar 107-vjetorin e Pavarësisë, një tërmet i tmerrshëm goditi vendin tonë. Ende nuk e dimë përmasën e plotë të dëmeve. Ajo që dimë deri tani është se me dhjetëra shqiptarë kanë humbur tragjikisht jetën nën rrënoja, qindra janë lënduar dhe shtëpitë e tyre janë shkatërruar. Mendimet dhe lutjet tona janë me të lënduarit, me ata që vuajnë dhe me familjet që përjetuan dhimbjen më të madhe, atë të humbjes së njerëzve të tyre të shtrenjtë", tha Basha.

Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se gjatë një bisede telefonike me kryeministrin Rama, e ka njoftuar se Kosova do të dërgojë trupa shtesë të Forcës së Sigurisë, për të ndihmuar në zonat më të prekura nga tërmetet. (REL)