Rajon-Botë

Rajon-Botë

Dhjetëra të vdekur dhe mijëra të pastrehë nga tërmeti në Shqipëri

Publikuar më 01 Dhjetor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Së paku 51 persona kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë plagosur nga tërmetet që goditën Shqipërinë në mëngjesin e 26 nëntorit.

Një vajzë 20 vjeçare, e cila kishte mbetur e plagosur, ka ndërruar jetë paraditen e së shtunës në spital, duke e çuar në 51 numrin e viktimave nga tërmeti.

Mbi 5 mijë persona kanë mbetur të pastrehë si pasojë e shembjeve, dëmtimeve serioze dhe rrezikshmërisë që paraqesin vendbanimet e tyre.

Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së qeverisë të shtunën, konfirmoi humbjen e jetës së 50 personave nga tërmeti.

Ai theksoi se tashmë operacionet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar.

Më tej, kryeministri bëri të ditur se aktualisht janë duke marrë ndihmë mjekësore në spitale 41 persona, 34 në spitalin e Traumës, 4 në Durrës dhe 3 jashtë vendit.

"Numri i qytetarëve që janë ndarë nga jeta si pasojë e tërmetit ka mbërritur në 50 dhe operacionet e kërkim-shpëtimit janë përfunduar. Duke përsëritur edhe njëherë shprehjen më të fuqishme të mirënjohjes të gjithë atyre që u përfshinë në këto operacione dhe duke i shprehur edhe njëherë mirënjohjen më të thellë miqve dhe partnerëve që në një kohë shumë të shpejtë mobilizuan trupa të super-specializuar të kërkim-shpëtimit, më lejoni të përsëris sepse më duket shumë e rëndësishme që trupat tona, forcat e përfshira në momentin më akut të krizës, meritojnë vlerësimin më të lartë", u shpreh kryeministri në mëngjesin e së shtunës.

Ai ka bërë të ditur që së shpejti do të bëhet raporti i qëndrueshmërisë së banesave dhe inspektimi i godinave, përfshi qendrat shëndetësore, shkollat, kopshtet dhe çerdhet.

Sipas bilancit zyrtar përfundimtar nga Ministria e Mbrojtjes, qyteza e Thumanës, ku u shembën dy pallate, është më e goditura me 26 të vdekur.

Në Durrës, ku nga tërmeti u shembën dy hotele në zonën e Plazhit, një vilë tre katëshe në zonën e ish Kënetës, dhe dy pallate në qytet, janë 24 persona që humbën jetën.

Në mesin e viktimave të tërmetit janë 6 fëmijë dhe 22 gra. Në operacionet ë kërkimit nëpër rrënoja, morën pjesë rreth 250 efektivë nga Shqipëria, Kosova, Italia, Greqia, Mali i zi, Serbia, Kroacia, Franca, Turqia, Zvicra, Rumania, Maqedonia e Veriut, BE-je dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në total janë së paku 900 të plagosur, nga të cilët 41 janë ende të shtruar në spital. Mes tyre, një vajzë është në gjendje të rëndë, dhe sipas vlerësimit të mjekëve transferimi i saj jashtë vendit është i pamundur. Tre të tjerë që gjithashtu kanë qenë në gjendje të rëndë, janë dërguar për trajtim të specializuar jashtë vendit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, "përpos qytetarëve që po marrin trajtim në spitale, janë rreth 1500 vizita mjekësore të kryera për banorët e prekur nga tërmeti në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura pranë zonave të prekura. Ndërsa mbi 700 persona kanë marrë shërbimin mjekësor pranë kampit të emergjencës në Thumanë dhe pikave të ngritura në Durrës".

Ambasada Amerikane në Tiranë ka bërë të ditur se USAID ka nisur për në Shqipëri ekipe emergjencash nga Departamenti Zjarrfikës dhe Shpëtues i kontesë Fairfax dhe Departamenti Zjarrfikës i kontesë së Los Angeles.

Këta ekspertë do të ndihmojnë në koordinimin e ekipeve ndërkombëtare në vlerësimin e dëmeve, për të përcaktuar nëse ndërtesat dhe infrastruktura kritike në zonat e prekura janë të sigurta. (REL)