Rajon-Botë

Rajon-Botë

Kryemadhi: Sjella e Edi Ramës ndaj Kosovës është antishqiptare

Publikuar më 04 Janar 2020

Artikuj të ngjashëm

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) në Shqipëri, Monika Kryemadhi, ka thënë se sjellja e kryeministrit shqiptar, Edi Rama ndaj Kosovës është antishqiptare.

Në takimin që organizoi me strukturat e LSI-së në Tiranë, Kryemadhi tha se nuk mund të quhet ndryshe një politikë paternaliste ndaj Kosovës kur ky shtet i ri po forcon reputacionin e tij ndërkombëtar.

"Boja i ka dalë edhe karagjozllëkut dhe vulgaritetit të Edi Ramës, qe e shiste si modernizëm. Ne e mirëbesuam dhe më pas e nënvlerësuam si përpjekje të tij për të mbuluar padijen apo gabimet. Në fakt ajo ishte fasada e një plani të detajuar dhe të mirorganizuar, së bashku e i lidhur me një grusht njerëzish të fuqishëm dhe që rrënjët e tyre shtrihen në lobet antishqiptare. Sjellja e tij ndaj Kosovës, është qartësisht antishqiptare: nuk mund të quhet ndryshe një politikë paternaliste ndaj Kosovës kur ky shtet i ri po forcon reputacionin e tij ndërkombëtar; nuk mund të quhet ndryshe promovimi i shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë që copëton jo vetëm Kosovën, por i vë zjarrin gjithë rajonit dhe fishekzjarrët e tij demagogjike për Shqipërinë e Madhe nuk mund të jenë gjë tjetër përveçse destabilitet; kur Kosova është në kulmin e përpjekjeve të saj për anëtarësim në organizata rajonale e ndërkombëtare si dhe për njohje të reja; nuk mund të quhet veçse antishqiptare një politikë presioni ndaj Kosovës për çështje të rëndësishme të marrëdhënies së saj me Serbinë, si ajo e taksës; nuk mund të quhet ndryshe angazhimi në nisma rajonale, jo-transparente, pa qëllime e objektiva të qarta se çfarë fiton dhe humbet Shqipëria, Kosova dhe shumë vende të tjera, si e ashtuquajtura Mini-Schengen, duke përjashtuar dhe tradhtuar Kosovën jashtë, e duke fyer publikisht udhëheqësit e zgjedhur të Kosovës. Po ndodh në kohën e Edi Ramës, që është zyrtarisht edhe ministër i jashtëm i Shqipërisë, që disa vende po tërheqin njohjet për Kosovën. Ndërkohë, që miku më i ngushtë në rajon i tij është Alleksandar Vuçiq, që është arkitekt i revanshit ndaj Kosovës", tha ajo, raporton Koha.net.

Ajo pyeti se çfarë duhet të bëjë më shumë një njeri kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve të cilin ta ndëshkojë historia më vonë.

Më tej Kryemadhi tha se Shqipëria ndodhet në një moment kritik të zhvillimit e progresit të saj.

"Humbja e besimit, ndalimi i emigrimit masiv, blerja e pushtetit me para të pista, uzurpimi i ekonomisë në pak duar oligarkësh, janë çështje madhore me të cilat ne kemi forcën dhe guximin që të përballemi. Kjo përballje nuk është më çështje e politikës, e partive apo drejtuesve të tyre. Kjo është një çështje jetike kombëtare. Prandaj, ky është momenti kur çdokush duhet t'i bëjë pyetjen vetes së çfarë duhet të bëjë, si mund ta kthejmë vendin në shinat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, si mund t'u kthejmë shqiptarëve besimin se ky vend bëhet, se shqiptarët meritojnë të jenë qytetarë të Evropës ashtu si gjermanët, francezet, italianet, grekët apo kombet e tjerë të BE-së", tha ajo.

Sipas saj, Shqipëria ka vetëm një rrugë, integrimin në BE dhe aleanca e saj strategjike, e palëkundur me SHBA.

"Serioziteti dhe luajaliteti i bashkëpunimit janë dy elemente thelbësore që rrisin dinjitetin e bashkëpunimit të Shqipërisë me partnerët tanë dhe që sigurojnë koherencën e një politike të jashtme në të mirë të shqiptarëve dhe të rajonit. Ne jemi sot një popull i vogël i një vendi të vogël dhe të varfër nën qeverisjen e një grupi kriminal e antishqiptar, Por jemi një komb i madh i një vendi të pasur që gjithmonë e ka gjetur forcën për t'u ngritur nga vuajtja, varfëria, dhe diktatura", potencoi kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.