Rajon-Botë

Rajon-Botë

Von der Leyen: Shqipëria e Maqedonia Veriore e kanë "të hapur derën" e BE-së

Publikuar më 10 Janar 2020

Artikuj të ngjashëm

"E hapur është dera" e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore sipas rregullave të deritanishme, ka deklaruar të premten kryetarja e Komisionit Evropian, Urusla von der Leyen, në ceremoninë e marrjes së presidencës së radhës së BE-së nga Kroacia.

Ajo ka thënë se Bashkimi Evropian "duhet t'i mbajë premtimet" - një qëndrim krejt ndryshe prej presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili kundërshton hapjen e negociatave me shtetet e Ballkanit Perëndimor derisa të mos reformohet procesi i anëtarësimit, ka shkruar "Euronews", transmeton Koha Ditore.

Presidentja e re e Komisionit Evropian ka bërë të ditur gjithashtu se do të ketë një konferenceë donatorësh më 17 shkurt për mbledhjen e fondeve për rindërtimin në Shqipëri pas tërmetit shkatërrimtar dhe vdekjeprurës që goditi vendin në nëntor.

Shqipëria dhe Maqedonia Veriore është pritur të nisnin vjet diskutimet për anëtarësim zyrtar, por tri shtete anëtare bllokuan bisedimet në tetor në samitin e BE-së.

Shqipëria dhe Maqedonia Veriore kanë dorëzuar më 2009, respektivisht më 2004,aplikimin për t'u anëtarësuar në BE dhe dy vendet kanë ndërmarrë hapa për të jetësuar standardet e BE-së.