Rajon-Botë

Rajon-Botë

Teherani arreston për disa orë Ambasadorin britanik

Publikuar më 12 Janar 2020

Artikuj të ngjashëm

Ministria e Jashtme britanike tha të shtunën se ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Teheran është arrestuar për pak kohë nga autoritetet iraniane, ndërsa e cilësoi këtë veprim si "shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar".

Më herët gjatë së shtunës, agjencia e lajmeve me seli ne Teheran, Tasnim, raportoi se ambasadori britanik, Rob Macaire, është arrestuar përballë Universitetit Amir Kabir, për nxitje të protestave kundër qeverisë, shkruan zëri i amerikës.

Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab tha se "arrestimi i ambasadorit në Teheran pa asnjë bazë dhe asnjë shpjegim, është shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar".

"Qeveria iraniane është në një udhëkryq", tha sekretari Raab. "Ajo mund të vazhdojë ecjen e saj drejt statusit të të përjashtuarit me gjithë izolimin politik dhe ekonomik që kjo sjell me vete, ose të ndërmarrë hapa për të ulur tensionet dhe të angazhohet në një rrugë diplomatike përpara", tha ai në një komunikatë të lëshuar nga zyra e tij.

Ambasadori u arrestua derisa një grup protestuesish u mblodh në Teheran duke shprehur zemërimin ndaj qeverisë iraniane e cila mëngjesin e së shtunës pranoi fajësinë për rrëzimin e aeroplanit ukrainas që shkaktoi vdekjen e 176 personave.