Rajon-Botë

Rajon-Botë

Gjuriq: Lista Serbe nuk e voton Qeverinë e re të Kosovës

Publikuar më 02 Shkurt 2020

Artikuj të ngjashëm

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, ka deklaruar se përfaqësuesit serbë nga Kosova kanë marrë vendim që të mos e mbështesin zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës, transmeton Koha.net.

"Lista Serbe nuk do të votojë për zgjedhjen e qeverisë në Prishtinë, por do të vazhdojnë të zbatojë mandatin e saj që e ka fituar nga populli serb dhe t'i përfaqësojë ata në institucione", ka thënë Gjuriqi në një konferencë për media në Beograd, raporton FoNet.

Ndërkaq, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se për marrëveshjen e koalicionit mes LVV-së dhe LDK-së ka mësuar nga mediat, kurse shtoi se asnjë vendim s'do ta marrin pa u konsultuar me Serbinë.

"Marrëveshja është që, sikurse deri më tani, të jemi të bashkuar dhe asnjëherë të mos marrim vendime të njëanshme pa u konsultuar me shtetin tonë, Serbinë", tha Rakiqi, dhe theksoi se as Beogradi nuk do të marrë vendime të njëanshme në emër të njerëzve që jetojnë në Kosovë.

"Paraqitëm qëndrimin tonë dhe morëm mbështetjen që të mos e mbështesim zgjedhjen e asaj qeverie. Nuk duam të bëhemi frenues, por të luftojmë për interesat e popullit serb. Jemi të gatshëm të marrim pjesë në institucione, përfaqësuesit tanë do të luftojnë dhe gjithmonë do të jenë përkrah popullit të vet", deklaroi kryetari i Listës Serbe.